Cerca

Vatican News
UNESCO's World Heritage of Hidden Christian site of old Nokubi Church UNESCO's World Heritage of Hidden Christian site of old Nokubi Church  (ANSA)

Më 18 korrik kalendari kujton Shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv

Shën Federiku mori pjesë në Koncilin e Meinz (Maincit) të vitit 829, ku edhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për jetën e Kishës. Luftoi kundër paganizmit, që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër martesave ndërmjet njerëzve të një gjaku.

R. SH. - Vatikan

Më 18 korrik kalendari përkujton Shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv. “Jeta” e Shën Federikut, shkruar nga Otberti në shekullin XI, rreth dy shekuj pas vdekjes së shenjtit, është pa ndonjë vlerë të veçantë. Prandaj, sipas bolandistëve, dmth etërve jezuitë që punuan për hartimin e Acta Sanctorum, përmbledhje kritike dokumentesh e të dhënash për shenjtorët, të cilët kremtohen ditë për ditë, nuk meriton as vëmendjen më të vogël.

Dihet me siguri se mori pjesë në Koncilin e Maincit të vitit 829, ku edhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për jetën e Kishës. Kujtohet, më pas, në Kartën e 26 dhjetorit 833 dhe në ‘Jetën’ e Shën Odulfit, të cilin e kishte nisur të ungjillëzonte Frizonët. Emri i shenjtit kujtohet përsëri në vitin 834 kur, Rabano Mauro i kushtoi komentin e librit të Jozuehit e shkroi edhe një këngë lavdërimi për nder të tij.

Duke shfletuar ‘Jetën’ e shenjtit, mësojmë se duhet të ketë lindur aty nga viti 781 nga një familje me origjinë angleze, në Angli ose në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes së Rikfredit, ndërmjet viteve 825 e 828, edhe në saje të mbështetjes që i dha perandori Lotari, luftoi kundër paganizmit, që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër martesave ndërmjet njerëzve të një gjaku.

Njeri guximtar, e qortoi haptazi perandorin Ludoviku i Përshpirtshëm për martesën me Juditën, në sa ishte ende gjallë e shoqja, Irmingarda. Perandori, që ‘i përshpirtshëm’ ishte vetëm për emër, u zemërua aq, sa e mbyti ipeshkvin më 18 korrik 838. Këto të dhëna i gjejmë në disa burime; të tjera shprehin mendimin se shenjtin e vrau një fisnik i ishullit Valheren, pse ipeshkvi e kishte qortuar rëndë për mëkatet e tij. Sidoqoftë, vdiq duke kryer shenjtërisht detyrën që i takonte.

I varrosur në kriptën e kishës së Shëlbuesit në Utreht, nisi të nderohej si martir në krahina të ndryshme të Vendeve të Ulta dhe në Fuldë të Gjermanisë. Më 1362 kafka e shenjtit, e ndarë nga trupi prej ipeshkvit të Folkertit, u mbyll në një relikuiar ari e argjendi dhe u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët. Gjatë reformës u fsheh në një shtëpi private ku, sipas bolandistit Sipers, ruhej akoma në fillim të shekullit XVIII. Pjesa tjetër e trupit u zhduk pa gjurmë. Festa e Federikut u vendos në Martiriologun Romak më 18 korrik.

 

18 korrik 2018, 11:51