Kërko

Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu 

Knesset e deklaron Izraelin “shtet-komb i popullit hebraik”

Një ligj i miratuar gjatë natës në parlamentin izraelit, pas një debati të ndezur 8-orësh, e përcakton Izraelin ekskluzivisht si shtet hebraik. Gjuha arabe, nga gjuhë kombëtare bëhet “gjuhë e veçantë”.

R.SH. - Vatikan

Arabët izraelitë përbëjnë 20% të popullsisë së Izraelit prej 9 milion banorësh e janë shumica myslimanë, por ndër ta ka edhe druzë dhe të krishterë. Një ligj i sapomiratuar nga parlamenti izraelit, e përcakton tani Izraelin si shtet ekskluzivisht hebraik. Gjatë natës, 62 deputetë votuan në favor të tij e 55 kundër.

Ligji legalizon edhe kolonitë

Ligji e deklaron Jeruzalemin, kryeqytet të Izraelit, dhe vendos kalendarin hebraik si kalendar zyrtar të shtetit. Pikë veçanërisht e diskutueshme është sidomos ajo, që ligjëron kolonitë, duke nënvizuar se “shteti e sheh zhvillimin e ngulimeve hebraike si interes kombëtar dhe do të veprojë për të inkurajuar e promovuar konsolidimin e tyre”. Madje, ia lë dyert të hapura edhe emigracionit hebraik, që nga vende të tjera sjell kolonë në Izrael. Toka e Izraelit, vijon më tej teksti, është atdheu historik i popullit hebraik, prandaj, ai gëzon një të drejtë të veçantë për vetëvendosje në të.

 “Jemi përpara diçkaje jashtëzakonisht kontradiktore – komenton për ne editorialisti i gazetës italiane ‘Corriere della Sera’, Antonio Ferrari, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i dërguar në Lindjen e Mesme. – Nga njëra anë, mendohet për dy shtete e dy popuj, por më duket se qeveria izraelite nuk ka ndërmend ta pranojë këtë ndarje. Nga ana tjetër, me këtë ligj, thuhet: ‘Ky është shtet vetëm i hebrenjve, prandaj arabët mund edhe të ikin’. Garantimi i hebraicitetit të shtetit të Izraelit është vendim, që mund të merret, por duhet edhe të sigurojë njohjen e të drejtave të palës tjetër, që dëshiron tokën dhe shtetin e vet”.

Sovranizmi dhe demokracia e shtetit

Anëtarë të vetë partisë në pushtet, Likud, bir politik i së cilës është edhe kryeministri Benyamin Netanyahu, abstenuan e shprehën dyshime për një ligj nacionalist, që ka rrezik të mos respektojë të drejtat e njeriut e të degjenerojë në shovinizëm. Edhe pse ai është ligji i 14-të “themelor” apo “bazë” i Izraelit e ka peshë gati kushtetuese. Gjatë debatit, përfaqësuesit arabë grisën tekstin, në shenjë proteste e natyrisht, votuan kundër tij. “Netanyahu – pohon akoma Antonio Ferrari – duket i zënë në çark nga e djathta ekstreme e Naftali Bennet e nga gjithë të tjerët, që mendojnë se, në fund të fundit, Izraeli duhet ta pranojë kufizimin e atyre rregullave demokratike, që shkojnë kundër natyrës së tij. Izraeli është shtet demokratik, por këto vendime e çojnë në drejtimin e kundërt. Është sikur të thuhej: ‘Jemi sovranistë, por demokratë’. Jo: nëse je demokrat, nuk mund të jesh sovranist, sepse në atë tokë të përçarë duhen pasur parasysh dy realitete”.

Pakica arabe në Izrael

Pakica arabe, që punon e jeton në Izrael, e ka ndjerë veten gjithnjë të diskriminuar, si qytetare e kategorisë së dytë. Ҫ’do të ndodhë tani? “Tani – pohon analisti italian, Ferrari – do të ndjehen si qytetarë të kategorisë së tretë a të fundit, madje, nuk do të ndjehen më as qytetarë. Prandaj, rreziku i tensioneve është shumëfishuar. Kush e njeh atë rajon, e di shumë mirë këtë. Kjo është gjendje eksplozive, përkeqësuar edhe më nga vendime të tilla”.

19 korrik 2018, 18:10