Cerca

Vatican News
Madonna del Carmelo - Trastevere Madonna del Carmelo - Trastevere 

Kisha përkujton 16 martiret e Kompenjës, gjatë revolucionit francez

Më 17 korrik kujtojmë martirizimin e 16 karmelitaneve të Manastirit në Kompenjë, të cilave iu pre koka në Paris 224 vjet më parë, më 17 korrik 1794, gjatë revolucionit francez. Rregulltaret, shpallur të Lume më 1906 nga Shën Piu X, nuk e pranuan Kushtetutën civile të klerit, hartuar nga revolucionarët kryesisht për t’i shkëputur katolikët francezë nga Papa.

R.SH. - Vatikan

Kisha më 17 korrik përkujton martirizimin e 16 karmelitaneve të zbathura të Manastirit të Mishërimit, në Kompenjë, të cilave iu pre koka në Paris 224 vjet më parë, më 17 korrik 1794, gjatë revolucionit francez. Rregulltaret, shpallur të Lume më 1906 nga Shën Piu X, nuk e pranuan Kushtetutën civile të klerit, hartuar nga revolucionarët kryesisht për t’i shkëputur katolikët francezë nga Papa. Të mbyllura në qelitë e llahtarshme të burgut të Konsierzhërì, përplot me meshtarë e rregulltarë, ashtu siç i përshkruan Atë Zef Pllumi qelitë e sigurimit komunist në Shqipërinë e dyqind vjetëve më pas, u dënuan me vdekje nga gjykata revolucionare për besnikërinë e tyre ndaj jetës rregulltare, apo ‘për fanatizmin’ e tyre, siç u quajt devocioni i murgeshave për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar si dhe për lidhjen e pakëputshme me Papën e Romës. Por për orët e fundit, që jetuan Rregulltaret e Lume, karmelitani, Atë Bruno Sekondìn, shprehet kështu:

Është shumë i bukur përshkrimi që na bën Bernanos në veprën ‘Dialogët e karmelitaneve’, ose Gjertrude fon Le Fort, që na kujtojnë se disa nga karmelitanet nuk e patën të lehtë të qëndronin para gijotinës e ndoshta do të ishin ligështuar, po të mos u jepte zemër Eprorja e tyre, Nënë Tereza e Shën Agostinit. Pak para se t’u pritej koka, ato përsëritën, në prehër të saj, kushtet e jetës rregulltare. E pastaj u nisën një nga një duke kënduar ‘Veni Creator’ drejt gijotinës. Shprehje e mrekullueshme e fesë, pasuri e paçmuar e traditës karmelitane. Sepse nuk janë të vetmet. Duhen kujtuar këtu shumë karmelitanë të tjerë martirë, ndërmjet të cilëve, rregulltarët e Malit të Karmelit, që u dëbuan nga kuvendet prej saraçenëve e, më pas, edhe u masakruan. Vdiqën duke kënduar ‘Të falem Mbretëreshë”!

A ka edhe karmelitanë të tjerë, të cilëve iu pre koka në këtë periudhë?

Po, ka disa karmelitanë e karmelitane, murgjër e murgesha, ashtu si edhe terciare që, si të gjithë njerëzit e Kishës, u mbyllën në burgje. E me që burgjet nuk mjaftonin, shpikën një metodë të re: nisën t’i mbyllin në anije-burg, ku i linin derisa vdisnin nga uria, etja, kolera, murtaja e sëmundje të tjera të kësaj natyre. Shpikje e madhe e revolucionit francez, kjo!

Çfarë mesazhi na lënë trashëgim martiret?

Para së gjithash, dëshminë e tyre kaq shprehëse e të njëzëshme, edhe pse ndonjëra nuk e pati lehtë ta vinte kokën në satër, në sa shikonte si rrokulliseshin kokat e simotrave. Shembullin e Nënës eprore, pastaj, që u ngjit trimërisht e fundmja në gijotinë, vetëm pse deshi t’u jepte zemër simotrave të mos e tradhtonin besën dhënë Krishtit. Gjithë kjo na kujton se, për të përballuar situata të tilla, që vijuan e vijojnë akoma në botë, duhet qëndresë e guxim, besnikëri e dëshmi e përditshme, deri tek ‘gijotina’. Na kujtojnë edhe se nuk janë të vetmet që përballuan një provë kaq tragjike: martirizimi nuk ka marrë fund! Përsëritet. Secili nga ne mund ta mendojë veten para gijotinës - e jo thjeshtë simbolike. Edhe sot kemi shumë njerëz, madje edhe grupe e bashkësi, që përballojnë prova të panumërta, persekutime të hapura e të fshehura, që vënë kokën në rrezik për Ungjillin, që janë gati të flijojnë jetën për lirinë, të vërtetën, dashurinë. Kujtimi i Martireve të Kompenjës na tregon sa rëndësi ka ta lëshosh veten në dorë të Zotit. Përndryshe, si do të mund t’i përballonte njeriu i ligësht situata të tilla? Në të cilat mund të ndodhet papritmas secili nga ne, që jetojmë në një botë e cila, si në kohën e revolucionit frëng, shpall me bujë lirinë, barazinë e vëllazërimin?

17 korrik 2018, 08:11