Il Perdon d'Assisi, come ottenere l'indulgenza plenaria Il Perdon d'Assisi, come ottenere l'indulgenza plenaria 

Festa e Faljes së Asizit e vitit 1216

Në vitin 1216 Shën Françesku “i ngazëllyer, pasi mori nga Papa Onori III mundësinë për ndjesën e plotë… nuk e përmbajti gëzimin dhe thirri: ‘Vëllezërit e mi, dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë’. Festa e Ndjesës apo e Faljes së mëkateve e Asizit, është kremtim i mëshirës së Zotit në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

Tetëqind e dy vjet më parë, Françesku i Asizit, duke u lutur me gjithë shpirt në kapelëzën e Porciunkolës, i kërkoi Jezusit ndjesën e plotë të të gjitha fajeve e mëkateve për ata që, të penduar e të rrëfyer, do ta vizitonin këtë kishëz, duke shkarkuar aty, barrën e padurueshme të shpirtit. Papa Onori III ia dha lejen ta kremtonte këtë festë e cila, që asokohe, njihet si Ndjesa e plotë e Porciunkolës dhe përsëritet çdo vit.

Kështu edhe sivjet, në Bazilikën e Porciunkolës në Shën Marinë e Engjëjve të Asizit të Italisë, nga data 29 korrik e deri më 3 gusht, kremtohet festa vjetore e Faljes, gjatë së cilës, mijëra shtegtarë shkojnë në Kishën e vogël të zgjedhur nga Shën Françesku 802 vjet më parë si qendër e Urdhrit të vet, për t’u rrëfyer e për të marrë Ndjesën e Plotë prej Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar. Për festën e këtij viti janë organizuar momente shpirtërore, kremtime liturgjike e programe kulturore-artistike.

Ndjesa e Asizit

“Falja e Asizit” apo “Ndjesa e Porciunkolës” na kujton, siç përmendem, se që prej tetë shekujsh, më 1 e 2 gusht, miliona shtegtarë mund të gëzojnë një privilegj unik e të veçantë: të gjejnë paqen dhe faljen e Hyjit. Ia kërkoi  këtë Jezu Krishtit Zot, Shën Françesku, në atë natë lutjesh të përgjëruara, më 2 gusht të vitit 1216.

Shën Françesku dhe Ndjesa e Asizit

Duhet kujtuar se si në vitin 1216 Shën Françesku “i ngazëllyer, pasi mori nga Papa Onori III mundësinë për ndjesën e plotë… nuk e përmbajti gëzimin dhe thirri: ‘Vëllezërit e mi, dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë’ : kjo, pra, është fraza e njohur e Shën Françeskut, kur e njoftoi popullin e Asizit se Selia e Shenjtë u kishte dhënë mundësi besimtarëve të kërkonin ndjesën e plotë në Kishën e vogël të Porciunkolës. Ishte 2 gushti i vitit 1216 e që atëherë, solemniteti, i cili tashmë njihet si “Ndjesa e Asizit apo Falja e Asizit”, kremtohet çdo vit me një kalendar të pasur me veprimtari.

Ndjesa apo Falja e Asizit  janë fjalë, që na flasin edhe për misionin themelor të Kishës, atë të favorizimit të takimit të Zotit me njerëzit, të ndërtimit të urave të forta ndërmjet Qiellit e Tokës, Hyjnores e njerëzores, të orientimit drejt udhës së shëlbimit për të gjithë e jo të rezervuar për grupe të vogla të urtësh e të diturish.

Kisha e vogël e Prociunkolës “hir i veçantë”

Kisha na shpjegon, sipas Ungjijve, pse Zoti zgjedh të vegjlit. Vetëm esenca e Hyjit, që është dashuri, mund ta shpjegojë këtë lëvizje të Krijuesit nga lart-poshtë, këtë dëshirë  të Zotit për t’u bërë i vogël, i brishtë dhe i varur nga kujdesi i njeriut.

Festa e Ndjesës apo e Faljes së mëkateve e Asizit, është kremtim i mëshirës së Zotit në mbarë botën, siç e tha edhe Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Porciunkol, më 4 gusht 2016, në 800-vjetorin e ndjesës së Asizit.

Papa Bergoglio foli me të rinjtë dhe i ftoi ta marrin pa frikë dhuratën e mëshirës. Nganjëherë kemi frikë nga kjo, sepse kur i marrim këto hire të Zotit, duhet ta ndryshojmë jetën tonë: e ne shpesh nuk duam ta ndryshojmë stilin e jetës, mënyrën si i shikojmë gjërat. Ja pra, Porciunkola është qendër shpirtërore, ku mund të merren këto hire prej Zotit, e mikpret njeriun, për ta rindërtuar shpirtërisht, atë e gjithë njerëzimin, botën mbarë.

Prandaj si të mos shpërthejmë në një himn ngazëllimi e ta madhërojmë Zotin për dhuratën e Mëshirës së Tij Hyjnore e për gjithçka kryen? Si të mos gëzojmë për mirësinë, që nuk kufizohet në kundrimin e vetvetes, por dëshiron të përhapet e ta dhurojë vetveten? Që pranon – për dashuri – të plagoset, të refuzohet, të gozhdohet  e të vdes mbi kryq?

Nuk mund të mos kujtojmë sa i rëndësishëm ishte Parrizi (Parajsa) në kohën e Shën Françeskut e sa të gatshëm ishin njerëzit të ecnin, të impenjoheshin, të luteshin, për të mos e larguar atë perspektivë nga horizonti i jetës. Në ato kohë, njerëzit, posaçërisht besimtarët, e kuptonin se fati përfundimtar i njeriut nuk caktohej mbi tokë, por në botën tjetër në amshim, në qytetin e shenjtorëve, në bashkimin e përjetshëm me Zotin.

Sot, shoqëria aktuale nuk na ndihmon ta kuptojmë këtë vlerë dhe e ka të vështirë të krijojë hapësira për Zotin e njerëzit, për lumin e hireve që vjen nga Sakramentet e Shenjta, për rëndësinë e ruajtjes e të mishërimit të Fjalës së Zotit, që të mos shkatërrohen familjet, famullitë kishtare, komunitetet apo ambientet e punës. Gjithsesi Falja e Asizit na  kujton se të gjithë kemi nevojë ta ndjejmë mëshirën e Zotit e të mësojmë stilin e mëshirës. Është vërtetë një Hir i veçantë, përvojë e thellë e gëzimit, që vjen prej Zotit.

E nga Shenjtëroja e vogël e Porciunkolës në Asizi, ku çdo besimtar ka mundësi ta rifillojë jetën nga e para, pas marrjes së ndjesës së plotë prej Zotit, Kisha na fton të shikojmë me sy të rinj realitetin e sotëm. Së fundi, po kujtojmë, se sivjet bie 802-vjetori i “Faljës së Asizit” apo “Ndjesa e Porciunkolës” 

24 korrik 2018, 11:59