Fëmijë afrikanë Fëmijë afrikanë 

Afrika, parë me sytë e fëmijëve

“Shkrepje të lira: Afrika, parë me sytë e fëmijëve”, është emri i nismës, që aktivizon në laboratoret fotografike, fëmijët e të rinjtë, të cilët fatlum nuk mund të quhen, sepse të lindur e të rritur në kushtet e tmerrshme të varfërisë e të luftës, në Mali e Kenia. Është fjala për një projekt, lindur nga ideja e një të riu ivorian e mbështetur nga kardinali Ravasi, kryetar i Dikasterit vatikanas për kulturën.

R. SH. - Vatikan

Projekti zu fill nga ideja e Mohamed Keitës, djalosh emigrant nga Bregu i Fildishtë. Kur ishte vetëm 17 vjeç, jetim nga të dy prindërit, iku nga Afrika, për të përfunduar në Itali. Këtu mundi të zbulojë e të kultivojë pasionin për fotografinë që, në rrjedhë vitesh, u bë puna e tij.

Si lindi ideja: laboratorë në Mali e Kenia

Projekti - shpjegon Mohamed Keita - lindi gjatë njërit nga shetgtimet e mia në Mali, më 2017. Isha atje për të bërë një dokumentar fotografik e, duke shikuar  ata fëmijë që jetonin në kushte të vështira, më lindi pyetja: “Si mund t’i ndihmoj?”. Aty për aty mendova të realizoj një laborator në këto vise, duke i ndarë me ta  njohuritë e mia për fotografinë. Kështu, gjatë një viti, falë edhe mbështetjes së Fondacionit Pianoterra, lindi një laborator fotografie në Mali, në rrethinat e Bamakos, e një tjetër në Kenia, në qytetin Thika. Të dy, realizuar për fëmijët që ndjekin qendrën e strehimit të Afrikës for Children in Conflict.

Arti, mjet integrimi, në ndihmë të njeriut

Qëllimi i projektit është të krijojë mundësi formuese e vende pune, që t’i shpëtojnë të rinjtë nga udha tragjike drejt Evropës, duke u krijuar kushte të jetojnë në vendet e tyre. “Dëshiroj t’i ndihmoj këta djem e këto vajza, që nuk kanë asnjë udhë të hapur përpara, ashtu si edhe mua më ndihmuan të tjerët. Isha në Itali, po nuk kisha para për të studiuar. Falë ndihmës së disa njerëzve, munda të bëhem dikushi. Prej këndej sot mundohem me gjithë shpirt t’u jap frymë atyre, që u merret nga dëshpërimi. Kjo, filozofia ime”.

Fotografia, mjet për t’i bërë ballë jetës

“Fotografia - deklaron Mohamed Keita - është mënyrë për t’i dhënë guxim e shpresë këtyre fëmijëve! Për t’u dhënë forcë, që të mund ta përballojnë jetën, këtu, në Afrikë. Shpesh - vijon - mendojmë se vetëm gjetiu mund ta ndjejmë veten mirë, por unë e di se jo gjithnjë është kështu… ideja bazë është t’u jepet atyre një mjet, që t’u krijojë kushtet për një jetë më të mirë, në Afrikë. Ku ta dish! Ndoshta ndokush mund ta bëjë këtë edhe përmes fotografisë. E shikoj se janë shumë të aftë për ta përvetësuar këtë art e jam tejet i kënaqur. Unë do t’u mësoj këtë, dikush tjetër, një mjeshtri tjetër. Por zotër në vend  të vet, e jo shërbëtorë në dhe të huaj!”.

Vlera e ndarjes së përbashkët

“Ky projekt - pohon fotografi - po më jep shumë edhe mua, duke më treguar se jeta vijon të të mësojë gjithnjë gjëra të reja. Po gjëja më e bukur është t’i ndash të mira e të vështira me të tjerët; kur i ndajmë bashkë, mund t’i zgjidhim të gjitha problemet, që shqetësojnë mbarë rruzullin tonë. Nëse nuk i jetojmë bashkërisht, nuk mund të kemi forcë e energji as për vete, aq më pak për të tjerët. Përmes ndarjes së përbashkët - vijon - duhet t’i bindim të gjithë se mund të shkohet gjithnjë përpara. Edhe kur punët katandisen zi e më zi! Bashkë, mund të zbardhen!”.

Angazhimi i Këshillit Papnor të Kulturës

Kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën - sipas  Vatican Insider - pa në nismën e të riut ivorian mundësinë për të realizuar një projekt laboratorësh dhe ekspozitash artistike fotografish, duke aktivizuar për këtë, fëmijët e të rinjtë afrikanë. “Jam i bindur - deklaroi kardinali - se laboratorët fotografikë mund të jenë për të rinjtë jo vetëm çast formimi profesional, por edhe rast për rritjen personale; udhë e re, që të largon nga jeta e rrugës e, aq më tepër, nga  emigrimi i parregullt”.

Ekspozitë endacake

Oborri i jo besimtarëve, strukturë e Këshillit Papnor për Kulturën, koordinoi organizimin, duke ia besuar Marco Pieronit, drejtimin artistik të projektit dhe ngritjen në këmbë të një ekspozite endacake fotografish të shkrehura nga fëmijët, nxënës kursesh për fotografë, që do të përurohet në Romë, në nëntor 2018.

31 korrik 2018, 17:14