Kërko

Conferenza episcopale della Scandinavia Conferenza episcopale della Scandinavia 

Vendet nordike: vizita ad limina e ipeshkvijve të Norvegjisë, Finlandës, Suedisë, Islandës e Danimarkës

Vizita e ipeshkvijve të vendeve të Evropës veriore do të fillojë më 7 qershor me audiencën te Papa Françesku. Imzot Kozon, President i Konferencës Episkopale "do t'i paraqesë Papës një raport mbi gjendjen e Kishës në vendet e veriut të Evropës e do ta informojë shkurtimisht mbi temat që do të diskutohen "në takimet e ipeshkvijve me dikasteret e ndryshme të Selisë së Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e vendeve veriore të Evropës: Norvegjisë, Finlandës, Suedisë, Islandës dhe Danimarkës do të jenë në Romë për vizitën e tyre ad limina apostolorum nga 6 deri më 13 qershor, me një "program të pasur".

Një deklaratë e botuar në faqen e internetit të Kishës Katolike në Danimarkë njofton se vizita e ipeshkvijve do të fillojë zyrtarisht më 7 qershor me takimin me Papën Françesku: ipeshkvi i Kopenhagës imzot Czeslaw Kozon, President i Konferencës Episkopale "do t'i paraqesë Papës Bergoglio një raport mbi gjendjen e Kishës në vendet e veriut të Evropës e do ta informojë shkurtimisht edhe mbi temat që do të diskutohen "në takimet e ipeshkvijve me dikasteret e ndryshme të Selisë së Shenjtë.

Njoftimi përmend në veçanti temën e "përkthimit të teksteve liturgjike" dhe propozimin suedez për të vendosur një ditë festimi për Shën Terezën e Kalkutës. Me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit takimi i ipeshkvijve do të përqendrohet mbi "marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës" duke nënvizuar faktin se "të gjitha vendet nordike në këto vite" kanë qenë dëshmitare të "kufizimeve në rritje në sferën fetare".

Gjithashtu në kalendarin e vizitës është në program një pritje, më 12 qershor, për ato realitete që punojnë në vendet nordike. Çdo ditë ipeshkvijtë do të kremtojnë meshën në një nga pesë bazilikat e mëdha të Romës, si dhe në Kishën e Shën Marisë së Engjëjve, titullar i së cilës është kardinali i Stokholmit Anders Arborelius. Ipeshkvijtë e Reikiavikut (Islanda), Oslo-s dhe Tromso-s (Norvegji), Helsinkit (Finlanda), Stokholmit (Suedi) dhe Kopenhagës (Danimarkë) i përkasin Konferencës Ipeshkëvnore të vendeve veriore të Evropës.

04 qershor 2018, 13:54