Kërko

Santo Sepolcro Gerusalemme Santo Sepolcro Gerusalemme 

Shenjtorët e javës 17 – 24 qershor

Mesazhi i Liturgjisë së kësaj së diele mbërrin tek ne në formën e shëmbëlltyrës. Ungjilli na tregon shëmbëlltyrën e kokrrës së senapit që flet për Mbretërinë e Qiellit, për dinamikën e saj dhe për atë që ajo sjell në zemër të njeriut e të historisë. Shëmbëlltyra ungjillore të kësaj së diele përmban një mesazh optimizmi e shprese. Fara e senapit, ndonëse tejet e vogël, është plot me jetë

R. SH. - Vatikan

E diel më 17 qershor, Kisha katolike kremton të Dielën e 11-të gjatë vitit liturgjik. Gjithynjë më 17 qershor kalendari përkujton shenjtorët Biaxho dhe Diogjeni, të dy martirë.

Meazhi i Liturgjisë së kësaj së diele mbërrin tek ne në formën e shëmbëlltyrës. Ungjilli na tregon shëmbëlltyrën e kokrrës së senapit që flet për Mbretërinë e Qiellit, për dinamikën e saj dhe për atë që ajo sjell në zemër të njeriut e të historisë. Shëmbëlltyra ungjillore e kësaj së diele përmban një mesazh optimizmi e shprese. Fara e senapit, ndonëse tejet e vogël, është plot me jetë.
Çdo i krishterë, atëherë, e di mirë se duhet të bëjë gjithçka mundet, duke ditur se rezultati përfundimtar varet nga vetë Zoti; kjo vetëdije e ndihmon në jetën e përditshëm, posaçërisht në situata të vështira. Në situata të tilla, shkruan Shën Injaci i Lojolës, ‘Vepro sikur gjithçka të varej prej teje, duke e ditur se në fund të fundit gjithçka varet prej Zotit’.

Të hënën më 18 qershor, kalendari përkujton Shën Markun e Marçelianin, martirë romakë, e Shën Marinën.  Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të martën më 19 qershor, kalendari i Kishës përkujton shën Romualdin, abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazin e Protazin, martirë milanezë.  Në liturgjinë e ditës, psalmi na kujton se Qielli shpall drejtësinë e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.

Të mërkurën më 20 qershor, kalendari përkujton Shën Silverin papë e martir.  Liturgjia  e dites na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.

Të enjten më 21 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Luigj Gonzagën, rregulltar. Liturgjia na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.

Të premten më 22 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Paolinin, ipeshkëv i Nolës; Shën Gjonin Fisher, ipeshkëv i Roçesterit e Shën Tomas More, martirë anglezë; Shën Flavio Klementin, konsull romak, martir dhe të Lumin Inoçencin V, papë. Liturgjia e ditës na kujton mësimin e Jezusit mbi thesarin e vërtetë, për të cilin mund të krenohemi, e për dritën e vërtetë, për të cilën ia vlen të shkrish gjithë jetën, me bindjen se Zoti është pranë nesh në orën e provës.

Të shtunën më 23 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Zakarinë e Shën Elizabetën, prindërit e Shën Gjon Pagëzuesit dhe Shën Jozefin Kafasi, meshtar torinez. Liturgjia e ditës na kujton se pasuria jonë e vetme është dashuria e Zotit. Ne, që punojmë çdo ditë për vete e për familjet, Jezusi na kujton se duhet të kemi besim në Hyjin, i cili i njeh nevojat tona e është gjithnjë gati të na i plotësojë në kohën e duhur

Të dielën e ardhshme më 24 qershor, Kisha katolike do të kremtojë festën e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit. Shën Gjon Pagëzuesi është shumë i nderuar në vise të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në ato që mbajnë emrin e tij: Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e Fushë Mamurrasi (Shqipëri) dhe famullia e Zllakuqanit (Kosovë).

16 qershor 2018, 12:52