Kërko

20180629_Marzin Mazur_Terra Santa_icona_Santi Pietro e Paolo.jpg 20180629_Marzin Mazur_Terra Santa_icona_Santi Pietro e Paolo.jpg 

Shenjtoret e javës 24 qershor – 1 korrik

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit

R. SH. - Vatikan

E diel 24 qershor, Kisha katolike kremton festën e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Shenjtit të vetëm, të cilit të krishterët i kremtojnë ditëlindjen. Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që i merr mbi vete mëkatet e njerëzimit dhe i falë e shlyen, prandaj Gjon Pagëzuesi edhe kërkonte nga populli përgatitje shpirtërore për ta pritu e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji. 

Shën Gjon Pagëzuesi është shumë i nderuar në vise të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në ato që mbajnë emrin e tij: Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e Fushë Mamurrasi (Shqipëri) dhe famullia e Zllakuqanit (Kosovë).

 

Të hënën më 25 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Gulielmin, abat, themelues i murgjërve të Montevergjine dhe shën Galikanin, ipeshkëv i Embrunit. Liturgjia e ditës na fton të mos druajmë e të lirohemi nga çdo frikë. E na kujton edhe se nuk jemi ne ata, që duhet ta gjykojmë të afërmin: tepër i cektë është vështrimi ynë e tepër i errësuar nga e keqja. Në se tregohemi të mëshirshëm në jetë, me mëshirë do të gjykohemi edhe në gjyqin e mbramë.

 

Të martën më 26 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Virgjilin, shën Gjonin e Palin martirë dhe shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei.  Liturgjia e ditës vë në qendër të vëmendjes sonë, ecjen pas Krishtit. E na kujton se njerëzit që e kanë zemrën të pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Janë ata që e ruajnë çdo dhuratë të Zotit si thesar të çmuar dhe e bëjnë të japë fryt në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo është rruga e sigurt e shëlbimit.

 

Të mërkurën më 27 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Çirilin r Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës.  Liturgjia e ditës na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, dmth, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë. 

 

Të enjten më 28 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Ireneun, ipeshkëv të Lionit e martir, njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar.  Ky shenjtor kishte mësuar nga Bariu i Mirë ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit. 

 

Të premten më 29 qershor, Kisha katolike kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt. Pra Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, të cilëve Krishti u besoi lartimin e ngrehinës së Kishës Katolike Universale, që i bën ballë shekujve. Kisha kremton solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës.

 

Të shtunën më 30 qershor, kalendari kishtar përkujton Martirët e Parë të Kishës së Romës, gjurmët e të cilëve janë në 15 katakombet në qendër e në jug të Italisë. Në katakombe njihemi me dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës së parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin.

 

Të dielën e ardhshme më 1 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 13-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 1 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Julin e shën Aronin e Shën Esterin. Këta dy shenjtorë i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës. Shën Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë të Biblës, që njihen me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe i vetmi burim biografik për këtë shenjt  .

24 qershor 2018, 13:16