Papa takohet me murgjër të Konfederatës Benediktine Papa takohet me murgjër të Konfederatës Benediktine 

Shën Romualdi Abat

Shenjti i ditës është Romualdi abat, themelues i vetmitores së Kamaldolit dhe i Kongregatës kamaldoleze, degë e reformuar e Urdhërit benediktin.

R. SH. - Vatikan

Shenjti i ditës është Romualdi abat, themelues i  vetmitores së Kamaldolit  dhe i Kongregatës kamaldoleze, degë e reformuar e Urdhërit benediktin.

Romualdi lindi në Ravenë, ndërmjet viteve 951 e 953, vdiq në Fabriano, më 19 qershor 1027. Meshtar e asket, e jetoi me devocion të jashtëzakonshëm e  besnikëri të palëkundur idealin e tij murgar, si në  kuvend (sant’ Apollinare in Classe), e në vetmitore (Kamaldoli, pranë Arezzos), ashtu edhe si ungjillëzues i trojeve të largëta. Dishepujt e tij  u shtynë deri në Poloni, duke ndjekur gjithnjë porositë e mësuesit të tyre, që pati shkruar: “Ulu në qelinë tënde, si të ishe në Parajsë, harro se ka botë e lëre pas shpine”.

Në martiriologun romak për të shkruhet: “Shën Romualdi: murg e atë i murgjërve kamaldolezë që, me origjinë nga Ravena, plot dëshirë për jetë e disiplinë vetmitare, jetoi nëpër Itali për shumë vite, duke ndërtuar manastire të vogla e duke nxitur kudo, në gjirin e murgjërve, jetën ungjillore derisa, në manastirin e Val di Castro në Marche, i dha fund lumturisht mundimeve të jetës”.

“O Zot - brohoritet në lutjen kushtuar Shenjtit vetmitar e ungjillëzues - ti, që e dërgove Shën Romualdin për ta përtërirë në Kishën tënde jetën vetmitare, na jep forcë ta mohojmë vetveten, për ta ndjekur Krishtin në Udhën e Kryqit e për t’u ngjitur me Të, në lumninë e mbretërisë sate!”.

19 qershor 2018, 11:34