Kërko

Apertura dell´Anno Giubilare Aloisiano 450 dalla nascita di San Luigi Aloysius Gonzaga, nella Chiesa di Sant´Ignazio, Roma Apertura dell´Anno Giubilare Aloisiano 450 dalla nascita di San Luigi Aloysius Gonzaga, nella Chiesa di Sant´Ignazio, Roma 

Shën Luigj Gonazaga në veprën e dom Ndré Mjedjes

Dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”. Në XXI kapituj të veprës tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”. Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedjës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike.

R. SH. - Vatikan

Për besimtarët katolikë shqiptarë, njohja nga afër e Shenjtit të Rinisë, shën Luigjit Gonzaga është bërë nga vepra origjinale e priftit e shkrimtarit të madh shqiptar, dom Ndre Mjedjës: “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”.

Në XXI kapituj të veprës tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re. 

Në kreun e parë - siç e quan dom Ndré Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne. 

Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjedjen lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave të Fés, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së ré katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare –shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën Apostollike të Shenjtit Atë Papë.

Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe. 

Ndër veprat fetare të Dom Ndré Mjedjes mund të përmendim: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç; “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927; “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes. 

Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.

Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së rë", për çka shkruam më lartë. Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shejte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherësh.

Vepër e dom Ndre Mjedjës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët. 

Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedjës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike, sepse janë shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, e prandaj zgjojnë interesimin e jashtëzakonshëm .

21 qershor 2018, 14:36