Kërko

Imzot Simon Kulli dorëzon Kupën e kampionatit dioqezan të futbollit Imzot Simon Kulli dorëzon Kupën e kampionatit dioqezan të futbollit 

Sapë: Kupa Imzot Lucjan Avgustini, sporti instrument edukimi

Në Sapë, organizohet Kampionit dioqezan i Futbollit, duke kujtuar edhe ipeshkvin e ndjerë, imzot Lucian Avgustinin.

R. SH. - Vatikan

Caritasi Dioqezan i Sapës organizoi kampionatin dioqezan të futbollit për moshat 10-12 vjeç, me pjesëmarrjen e 10 famullive kishtare të kësaj dioqeze. Kampionati për të rinj u zhvillua nën moton marrë nga një thënie e ipeshkvit të ndjerë të dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustinit  “Sporti instrument i mirë i edukimit!”.

Sportit i ka të gjitha mundësitë për të krijuar shoqëri më vëllazërore, ku njerëzit të rriten e zhvillohen, duke vënë plotësisht në punë aftësitë e tyre.  Simbole si sporti, hapin sytë dhe zemrat ndaj vlerës dhe dinjitetit të njerëzve, e ndihmojnë në kapërcimin e paragjykimeve e përjashtimeve.

Në sport, përveç argëtimit, kërkohet të kultivohet edhe miqësia e solidariteti. Në këtë mënyrë, sporti bëhet gjuhë universale, që i kapërcen ndryshimet kulturore, shoqërore, fetare e fizike dhe arrin t’i bashkojë njerëzit, duke i bërë pjesëmarrës në të njëjtën lojë e protagonistë të përbashkët në fitore e humbje.

Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit....

Kupa Imzot Lucjan Avgustini, sporti instrument edukimi, në Sapë

Përmes veprës dhe fjalës, Imzot Lucjan Avgustini na ka lënë shumë. Një ndër to është edhe thënia : “Sporti instrument i mirë i edukimit!” E pikërisht mbi këtë moto, që prej një jave, Caritas Dioqezan Sapa organizoi kompeticionin e radhës, Kampionatin dioqezan të futbollit për moshat 10-12 vjeç.

Me pjesëmarrjen e 10 famullive, ky kampionat u zhvillua në parametrat bashkëkohore të lojës, ku skuadrat u ndeshën me njëra-tjetrën duke eliminuar kështu skuadrat më të dobëta deri sa arritën në ndeshjen finale. Finalja u ndesh mes skuadrave të famullisë së Shën Nikollit Vau Dejës dhe famullisë së Shën Palit Hajmel –Nënshat.

Pas një loje të mrekullueshme mes këtyre dy skuadrave, fituese u shpall skuadra e Vau Dejësit, nën drejtimin e famullitarit dom Mark Shtjefni, e cila u nderua me kupën “Imzot Lucjan Avgustini”. Ishte pikërisht ky kampionat dedikuar ish- ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit. Nga ana tjetër edhe ipeshkvi i vendit, imzot Simon Kulli, vlerësoi shumë këtë aktivitet, ku Caritasi mundohet që të dhurojë vlerat e edukimit për brezat e rinjë edhe nëpërmjet sportit.  

Përveç ipeshkvit imzot Simon Kulli, mes autoriteteve ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal që ndoqën këtë event sportiv, përmes së cilës tregohet edhe një frymë e mirë bashkëpunimi mes institucioneve në rritjen, edukimin dhe qytetarinë e treguar për anëtarët e komunitetit ku jetojmë. Vlen të përmendet se në këtë kampionat ku u luajtën ndeshjet, e rëndësishme është edhe ana miqësore që u shfaq mes fëmijëve, gjë e cila tregon vlerat humane dhe njerëzore që kisha është munduar ti edukojë gjithmonë me këto ndjenja.

Në fund të takimit, imzot Simon Kulli i dhuroi kupën e kampionatit skuadrës fituese të Vau-Dejësit, dhe bashkë me të edhe mesazhin për të qënë gjithmonë përçues të dashurisë, paqes dhe mirësisë dhe ti transmetojmë këto vlera edhe tek të tjerët në çdo event ku ne bëhemi aktorë dhe promotorë.  Meritë e veçantë ju takon ekipit organizator, drejtorit të Caritasit, z. Nikolin Lekaj, kordinatorit të projekteve z. Nest Marashi, të cilët me përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur u japin jetë eventeve të ndryshme në dioqezën e Sapës.

Nga Vau-Dejës Violeta Marashi

11 qershor 2018, 14:15