Robert Kennedy Jr Robert Kennedy Jr 

Robert Kennedy jr: ju tregoj atin tim, shpresat e tij

Në 50-vjetorin e vdekjes së Robert Kennedy-t, intervistë eksluzive e Vatican News me të birin Bob Kennedy Jr i cili, në këto ditë botoi vëllimin “American Values”, kushtuar t’et dhe familjes

R: SH. - Vatikan

Më 6 qershor, 50 vjet më parë, në Los Angeles, vritej Robert F. Kennedy. Shuhej, kështu, pa i mbushur mirë 43 vjeç, jeta e njërit nga liderët politikë amerikanë më  karizmatikë të pas luftës. Bob Kennedy-t i ndërpritej tragjikisht edhe rendja drejt Shtëpisë së Bardhë, 5 vjet pas vrasjes së të vëllait, presidentit John F. Kennedy. Vrasja e senatorit të New Yorkut, vetëm dy vjet pas vrasjes së Martin Luther King, shuante  -  për një mori amerikanësh, e jo vetëm - çdo shpresë për ardhjen e një stine të re në politikën e SHBA-ve, e edhe në atë botërore. Tri ditë pas vrasjes, Pali VI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, e kujtoi, i prekur thellë, figurën e Robert Kennedy-t. Një dëshmitar - pohoi -  të cilit bëjmë mirë t’ia kujtojmë atë zë, që u ngrit në mbrojtje të të varfërve, të skamnorëve, të vetmuarve, të progresit urgjent, me një fjalë, të drejtësisë shoqërore. 50 vjet pas këtij 6 qershori tragjik të 1968-tës, Vatican News intervistoi Robert Kennedy-n Jr, bir i polikanit amerikan. Avokat ambientalist, president i shoqatës Waterkeeper, Kennedy publikoi pikërisht këto ditë, së bashku me Harper Collins, vëllimin American Values “Vlerat Amerikane”, në të cilin tregon historinë e të atit dhe të familjes më të famshme të Amerikës.

Robert Kennedy jr, cili është trashëgimi personal më domethënës, që ju la babai juaj, për të cilin flisni në American Values?

Libri është përmbledhje kujtimesh. Tregon ç’do të thoshte të rriteshe në epokën e Camelot (presidencës së Kennedy-t) e pastaj edhe në periudhën kur im atë shkonte drejt presidencës. Për mua, për motrat e mia, vëllezërit e mi, kushërinjtë, ishte periudhë magjike, sepse qemë pjesëmarrës në një betejë, që përfshinte të gjitha argumentet e mëdha  të çastit. Në dimër, shtëpia jonë në Hickory Hill të Virgjinia-s, bëhej satelit i Shtëpisë së Bardhë. Shumë çështje të mëdha të epokës, ndërmjet të cilave, integrimi racor në Mississippi, Alabama, të drejtat qytetare, Gjiri i Derrave, kriza misilistike në Kubë, e gjithë kjo drejtohej nga shtëpia ime. E ne, të rinjtë, merrnim pjesë, i dëgjonim diskutimet, shikonim si rendte historia para syve tanë.

Bota e njohu Robert Kennedy-n si politikan statist. Po i parë me sytë e të birit, si ishte?

Ishte baba i mrekullueshëm e shumë shumë i vëmendshëm. Siç e shpjegoj në libër, kujdesej për secilin prej nesh. E kuptonte se jemi njerëz të ndryshëm, me talente të ndryshme dhe kujdesej fort për këto talente e këto interesa. Përsa më përket mua, që në vogëli shkoja keq me mësime dhe e ndjeja pakënaqësinë e tij, gjë që ma copëtonte zemrën. Ndërsa ai tregonte shumë interes për gjërat, në të cilat dallohesha, si kujdesi im për kafshët, për shembull. Asokohe mbaja pëllumba shtegtarë, stërvitja skifterë, shkoja për peshkim e për gjah. E atij i pëlqenin këto që bëja e më jepte gjithnjë zemër. Kur shihte se i bëj mirë ca gjëra, më lëvdonte për to, por pa më sharë për tjerat, që  nuk më pëlqenin fare.

50 vjet pas vdekjes, babai juaj duhet dhe nderohet ende shumë në SHBA e edhe në pjesën tjetër të botës. Pse, sipas jush?

Besoj se si im ungj (John F. Kennedy) ashtu edhe im atë, qenë të bindur se Amerika duhet të ishte shembull si komb. Kjo për ta donte të thoshte se duhej formuar demokracia e duhej përkryer vendi ynë, por pa ua imponuar pikëpamjet tona popujve të tjerë të botës. Im atë e edhe im ungj donin t’i tregonin botës fytyrën më të mirë të Amerikës. E dëshironin që bota të mos mendonte se fytyra e Amerikës ishte ajo e një marinsi a e një ushtari. Për ta, Amerika duhet të kishte  fytyrën e një vullnetari të Trupave të Paqes. E duhet të ishte edhe në krye të besëlidhjes për progresin: për punëtorët, që shtrojnë udhë të reja dhe u shpërndajnë bukën e përditshme më të varfërve të botës. Kjo duhet të ishte politika e jashtme amerikane.

“Im Atë dëshironte që Amerika të ishte komb shembullor, por pa ua imponuar vullnetin e vet popujve të tjerë”.

Titulli i librit tuaj është pikërisht American Value, “Vlerat amerikane”. Cilat janë sot këto vlera-kyçe, vlerat e Robert Keneedy-t, për të cilat ka më shumë nevojë shoqëria amerikane?

Është pikërisht ideja që Amerika të jetë komb shembullor, domethënë, të jemi model, pa i detyruar të tjerët të bëjnë atë, që bëjmë ne. Duhet të përpiqemi t’i vëmë sa më mirë në jetë këto vlera, në shtëpinë tonë. Ta përsosim Bashkimin e Shteteve tona. Ta bëjmë Amerikën model për të drejtat e njeriut e për të drejtat civile, për drejtësinë, bujarinë, demokracinë e mirësjelljen. E të përpiqemi edhe, e sidomos, që politika jonë e jashtme të mos bazohet mbi fuqinë ushtarake.

Sa ka ndikuar feja katolike mbi angazhimin politik të atit tuaj?

Feja e tim eti ishte ajo e Dorothy Day, ajo e Ungjillit. Është ai aspekt i katolicizmit, në të cilin besonin Gjoni XXIII e Shën Françesku i Asizit; që Kisha të ishte mjet dashurie, drejtësie e mirësie në botë.

Kur flasim për mbrojtjen e të varfërve, promovimin e paqes dhe luftën kundër diskriminimeve, më duket se ndjehet menjëherë përkimi ndërmjet Papës Françesku e babait tuaj?

Po! E mendoj se edhe Gjoni XXIII, me të cilin xhaxhai im kishte përkim të thellë, e mendonte punën në të njëjtën mënyrë. A e dini se ka shkruar një libër për fëmijë, kushtuar Shën Françeskut të Asizit? Françesk ishte edhe emri i dytë i tim eti. E Shën Françesku ishte pajtor i shtëpisë, ku u rritëm. Mendoj se vizioni që ka Papa Françesku për rolin e Kishës, është i njëllojtë me atë, që kishte babai im  për rolin e Kishës e të qeverisë në shoqëri, domethënë të angazhohet për drejtësinë, mirësjelljen e mirësinë në botë e jo të merret me luftëra!

06 qershor 2018, 13:29