Kërko

Anno europeo del patrimonio Anno europeo del patrimonio 

Parlamenti i BE-së: nesër konferencë për Vitin Evropian të Trashëgimisë. Tajani,"kultura bashkon popujt"

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani : "Vlerat tona dhe identiteti ynë evropian janë të rrënjosura thellë në mbi 3000 vjet histori dhe kulturë".

R. SH. - Vatikan

"Vlerat tona dhe identiteti ynë evropian janë të rrënjosura thellë në mbi 3000 vjet histori dhe kulturë. Nga qytetërimet e lashta evropiane deri te shkëlqimet e Rilindjes me Leonardo da Vinçi-n, Erasmin nga Roterdami dhe Van Eyck, nga baroku i Caravaggio-s, Bach-ut apo Velazquez-it deri te shekulli i Volterit, krijimtaria evropiane ka realizuar e dhuruar një trashëgimi të madhe e të paçmuar. Pra jemi kontinenti që ka mbi gjysmën e siteve (vendeve) të UNESCO-s, që janë të njohura si Trashëgimi Botërore".

Kështu pohon Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, i cili do të hapë nesër, më 26 qershor, në Bruksel një konferencë të nivelit të lartë mbi Vitin Evropian të Trashëgimisë Kulturore.  Ngjarja - "Trashëgimia kulturore në Evropë: lidhja e së kaluarës dhe së ardhmes" - do të zhvillohet në ora 14:00 pranë Parlamentit Evropian, si pjesë e iniciativave për Vitin Evropian 2018 kushtuar pikërisht trashëgimisë kulturore.

Tajani do të flasë për rëndësinë e industrive kreative dhe kulturore në Evropë. Ndër të tjerë, do të flasë edhe Komisioneri Evropian për Kulturë, Tibor Navracsics si dhe përfaqësues të ndryshëm të qeverive kombëtare e rajonale, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të industrisë. "Akoma më parë se ekonomia, është kultura - shton Tajani - që karakterizon, afron e bashkon popujt e Evropës, duke ofruar një bazë solide për një shtysë të re për realizimin e projektit të Bashkimit Evropian".

25 qershor 2018, 17:26