Të krishterët katolikë në botë Të krishterët katolikë në botë 

Në rritje, katolikët në botë, numri më i madh, në Afrikë

Botohet Vjetari Papnor 2018 dhe Annuarium Statisticum Ecclesiae (Vjetari Statistikor i Kishës) 2016. Në mbarë botën numri i të pagëzuarve rritet me 1,1%, pakësohen rregulltarët dhe seminaristët.

R. SH. - Vatikan

Numri i besimtarëve katolikë në Planet vijon të rritet nga viti në vit, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë, në krahasim me të kaluarën. Afrika është kontinenti me rritje më të madhe të numrit të të pagëzuarve nga viti 2010, deri më 2016, ndërsa Evropa regjistron pakësimin progresiv të besimtarëve.

Këto, të dhënat statistikore të Vjetarit Papnor 2018 si dhe të Annuarium Statisticum Ecclesiae 2016, hartuar nga Zyra Qendrore e Statistikës së Kishës. Në dokument jepen edhe statistikat lidhur me priftërinjtë, regulltarët e seminaristët, numri i të cilëve është në rënie të përgjithshme.

Më shumë besimtarë katolikë në Glob

Katolikët e pagëzuar, sipas Annuarium Statisticum, nga 2015 në 2016, prej  1 miliard e 285 milionë që ishin, kalojnë në 1 miliard e 299 milionë, me një rritje të përgjithshme prej 1,1%. Në të njëjtën periudhë kohore popullsia botërore u shtua pak, në krahasim me numrin e katolikëve e, prej këndej, në vitin 2016 Kisha regjistron një prani të besimtarëve të saj, të barabartë me 17,67% në krahasim me popullsinë e mbarë botës, ndërsa në vitin e mëparshëm ishin 17,73%.

Afrika, kontinenti më dinamik, Evropa  i humbet besimtarët

Në Afrikë banojnë 17,6% e katolikëve të mbarë planetit, me rritjen më të madhe regjistruar në vitin 2010 - deri më 2016.

Besimtarët kalojnë nga 185 milionë, në më se 228 milionë, me një variacion prej më se 23%. Numri më i madh i të pagëzuarve, më se 44 milionë, regjistrohet posaçërisht në Republikën Demokratike të Kongos, pasuar nga Nigeria, me 28 milionë katolikë. Në anën tjetër është Kontinenti i Vjetër, që shënon rënie prej 2%, ndonëse ka në territorin e tij pothuajse 22% të bashkësive katolike botërore.

Shumica e katolikëve, në Amerikë  

Pothuajse gjysma e besimtarëve jetojnë në Amerikë (48,6%), shumica, në Amerikën Latine (57,5%); pjesa tjetër, në Amerikën qendrore dhe veriore  (28,4 e 14,1%). Azia, ku historikisht katolikët janë pakicë, duke përjashtuar Filipinet, numëron 1,11% të katolikëve, ndërsa 0,8% që mbetet, pak më shumë se dhjetë milionë besimtarë, është i pranishme në Oqeani.

Vendet, që mund t’i quajmë “më katolike” janë pesëmbëdhjetë, me 64% të të pagëzuarve, apo 830 milionë njerëz. Katër janë në Afrikë (Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Uganda e Angola), katër të tjera, në Kontinentin amerikan (Brazili, Meksika, SHBA-të dhe Kolumbia), dy në Azi (Filipinet dhe India), ndërsa pesë të tjerat janë në Kontinentin e vjetër (Italia, Franca, Spanja, Polonia e Gjermania).

Më shumë ipeshkvij e diakonë, por kriza e thirrjeve vazhdon

Në gjashtë vjet, nga 2010 deri më  2016, e dhëna më pozitive është ajo për numrin e ipeshkvijve, në rritje gati 5% (në 2016-tën ishin 5.353). Veç kësaj, vitin e fundit u ngritën gjashtë seli ipeshkvnore, katër heparki, një seli e re metropolitane, u lartuan në rang dioqeze tre vikariate apostolike. Zonat gjeografike, që regjistruan një rritje më të ndjeshme të numrit të ipeshkvijve të pranishëm, janë Amerika Qendrore dhe Jugore si dhe Azia. Numri i meshtarëve në botën katolike është 414.969: 67,9% janë të klerit dioqezan, ndërsa 32,1% tjetër, rregulltarë. Kjo, sipas statistikës, që ndjek pothuajse besnikërisht atë të 2015-tës, ndërsa grupi që ka regjistruar një shtim më të madh, është ai i diakonëve të përhershëm, shtuar me një mesatare vjetore prej rreth 3%. Numri më në rënie, ai i seminaristëve dhe i rregulltareve me kushte të përhershme, gjë që flet për pakësimin e ndjeshëm të thirrjeve gjatë viteve të fundit. Në gjashtë vjet, numri atyre që hyjnë në seminar, ka rënë me 1,8%, ndërsa numri i rregulltareve me kushte të përheshme, me 1,8%  e sot janë 659 mijë (- 8,7%).

 

19 qershor 2018, 11:18