Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
San Bonifacio IV, Basilica di san Paolo fuori le mura San Bonifacio IV, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 5 qershor kalendari Kishës katolike përkujton Shën Bonifacin, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir

Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir, nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror evropian i Karlit të Madh.

R. SH. - Vatikan

Më 5 qershor kalendari Kishës katolike përkujton Shën Bonifacin, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir

Pa veprimtarinë misionare të Shën Bonifacit, Apostull i gjermanëve, ipeshkëv e martir, nuk do të kishte qenë i mundur organizimi politik e shoqëror evropian i Karlit të Madh. Bonifaci ose Winfridi duket se i përkiste një familjeje fisnike angleze të Devonshirit, ku edhe lindi rreth vitit të largët 673. Data nuk është e sigurt, sepse disa nga studiuesit e jetës së tij shënojnë si datëlindje vitin 680.

Para se të niste veprën e lumnueshme të ungjillëzimit të popullsive gjermanike të përtej lumit Ren, praktikoi rregullin murgar në abacinë e Exeter-it e të Nursling-ut. Si kapërceu vështirësitë e para, ia doli mbanësh ta përshkonte gjithë territorin gjerman vetëm për tri vjet. Pas kësaj veprimtarie të ethshme, duke pasur parasysh vështirësitë e kohës, u thirr në Romë nga Papa, u shugurua ipeshkëv dhe mori emrin e ri Bonifac.

Para se ta organizonte Kishën në bregun e djathtë të Renit, mendoi të themelonte, ndërmjet zonës së Hessen-it e të Turingjisë, një abaci, që u bë qendër me rëndësi të dorës së parë e përshpirtërisë dhe e kulturës fetare në Gjermani. Lindi kështu abacia e famshme e Fuldës. Si seli ipeshkëvnore zgjodhi qytetin e Maincit.

Pak vjet më parë, kur në Fuldë të Gjermanisë u kremtua 1250 vjetori i vdekjes së Shën Bonifacit, Papa Gjon Pali II u pati drejtuar gjermanëve një Mesazh, përmes të cilit i inkurajonte të ndjekin shembullin e këtij njeriu me besim të patundur, të këtij rregulltari me fe të gjallë ndërmjet vështirësive të panumërta, të këtij ipeshkvi, që dha jetën për e duke predikuar fjalën e Ungjillit.

Figurë e ndritur dhe e dashur për Kishën katolike gjermane, Shën Bonifaci u përkujtua me kremtime madhështore në Fuldë, ku është varrosur sipas dëshirës së tij, pasi u mbyt nga paganët në vitin 754, në moshën 80 vjeçare. E martirizuan sepse shqetësonte shumëkënd me shenjtërinë e misionin e tij, sepse as lodhja, as mosha e as kërcënimet nuk e patën përkulur, por pati mbetur predikatar i zjarrtë e i palodhur i fjalës së Krishtit, shembull i ndritur për Kishën katolike gjermane e universale. Kuvendi i Shën Bonifacit në Fuldë ka qenë në shekuj edhe fidanishte për edukimin e fretërve të rinj françeskanë, ndërmjet të cilëve dhe shqiptarë.

05 qershor 2018, 14:34