Kërko

San Josemaria Escrivá de Balaguer San Josemaria Escrivá de Balaguer  (© Opus Dei)

Më 26 qershor kalendari kujton Shën Hosemaria Eskriva de Balager

Shën Josemaria Eskrivà de Balaguer, meshtar, themelues i ‘Opus Dei, që përbëhet prej besimtarëve laikë - pjesa më e madhe, të cilët mund të jenë beqarë e të martuar , njerëz të lidhur ngushtë me Kishën. Një përqindje e vogël janë meshtarë. Ndihmon ta kërkosh Zotin në jetën e përditshme.

R. SH. - Vatikan

Më 26 qershor kalendari kishtar kujton Shën Hosemaria Eskriva de Balager, meshtar, themelues i Opus Dei. Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës më 9 janar 1902, studioi në Seminarin e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në teologji e drejtësi, në sa më 28 mars 1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua në Madrid, ku punoi pa pushim në të gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve. 

Më 2 tetorin e vitit 1928, Escriva pa në vegim veprën që priste të realizohej prej tij. Ishte festa e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria nuk do ta harronte kurrë tingëllimin e këmbanave, që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc, teologu të cilit iu besua nga Opus Dei hartimi i biografisë, që iu dorëzua pjesëmarrësve në ceremoninë e shenjtërimit të tij, së bashku me doracakun e shtegtarit, rikujton me këto fjalë, atë që ngjau atë 2 tetor, datë që do të shënonte një kthesë vendimtare në jetën e Escriva De Balaguer dhe të qindra njerëzve.

Më 2 tetor, pas Meshe, don Hosemaria u kthye në dhomën ku banonte dhe nisi të vinte në rregull shënimet e tij, vendimet, propozimet…E ndërsa shkruante, papritmas pa qartë vullnetin e Zotit. Më vonë, kur do të fliste për këtë çast, do të përdorte gjithnjë foljen "pashë" lidhur me këtë ndërhyrje të mbinatyrshme: ishte një vegim intelektual i Opus Dei-t, ashtu siç e dëshironte Zoti e si do të ishte në rrjedhë shekujsh.

Në dritën e Zotit - shkruhet në biografinë e tij - pa njerëz të çdo race, të çdo moshe e kulture që e kërkojnë e gjejnë Zotin, në sa jetojnë të përditshmen e tyre në punë, në familje, në miqësitë, në kënaqësitë e orës kur çlodhen nga telashet e përditshme. E kërkojnë Jezusin për ta dashur e për të jetuar jetën e Tij hyjnore, derisa të lëshohen plotësisht në duart e tij e të bëhen shenjtorë: shenjtorë të botës!

Vegim tronditës, në të cilin shihen të krishterë të zakonshëm, laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë botën, pa u shkëputur për asnjë çast prej saj! Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte rënë në gjunjë, i prekur thellë në shpirt, nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës së Zonjës së Engjëjve për të festuar Lajmëtarët qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq të mrekullueshme, sa të mbeteshin përjetë në kujtesën e meshtarit. "Kisha 26 vjeç, hirin e Zotit e humor të mirë. Vetëm kaq. E më duhej të themeloja Opus Dei-n" - kujtonte më vonë meshtari.

Vdiq më 26 qershor 1975, u varros në Kishën e Shën Marisë së paqes në Romë; u shpall i lum më 17 maj 1992 e u shenjtërua më 6 tetor 2002, gjatë një kremtimi solemn, kryesuar nga Papa Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e më se 300 mijë besimtarëve nga mbarë bota.

26 qershor 2018, 09:00