Kërko

2018-01-31 CARAVAGGIO Salomé con la testa del Battista 2018-01-31 CARAVAGGIO Salomé con la testa del Battista 

Me 24 qershor kalendari kishtar pёrkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar prej Hyjit për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjellë tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit.

R. SH. - Vatikan

Kisha mё 24 qershor, na fton tё kremtojmë lindjen e tё shikojmë figurën e Gjon Pagëzuesit, shembull i vazhdueshëm i besnikërisë së Zotit dhe ligjit të Tij. Ai ia përgatiti rrugën Jezu Krishtit me dëshmi të fjalës dhe të jetës. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit. Ta marrim shembullin e tij me zemërgjerësi të përshtatshme dhe besimplote. Gjon Pagëzuesi është mbi gjitha një shembull i fesë.

Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grashë, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë ( së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe linjda), por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenheim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunewalld që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.

24 qershor 2018, 16:54