San Silverio, Basilica di san Paolo fuori le mura San Silverio, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 20 qershor kalendari përkujton Shën Silverin, papë e martir

Jetën e Papës shenjt Silverit mund ta tregojmë me dy fjalë: me origjinë nga Kampanja, iu desh të përballonte tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre viteve, u burgos e u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq.

R. SH. - Vatikan

Jetën e Papës shenjt Silverit, papë e martir,  mund ta tregojmë me dy fjalë: me origjinë nga Kampanja, iu desh të përballonte tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre viteve, u burgos e u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq. Por sa ngatërresa, vuajtje e poshtërime fshihen pas këtyre pak fjalëve.  Ishte bir i një pape tjetër shenjt, Ormisdës, i zgjedhur pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur i vejë. Ndërsa Silveri u ul në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostantinopojë më 22 prill 536.

Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua, pa dashur, në luftërat politike e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin e së cilës ndesheshin me armë Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria e grupeve të monofizitëve, që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur nga perandoresha Teodora. Kujtojmë se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin 451 nga Koncili i Kalçedonisë, ishte shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të Sirisë.

Pak kohë pas fillimit të papnisë së Silverit, mbrojtësi i tij, Teodati, u rrëzua nga froni e u mbyt nga gotët. Te portat e Romës u dukën ushtritë ostrogote, që rrethuan qytetin. Filloi, nën ndikimin e fortë të Bizantit, lufta për pushtimin e Romës e të fronit papnor, që përfshiu gjithë klerin e kishës universale. Papa u akuzua se donte ta dorëzonte Romën në duart e armikut, i cili nisi një sulm të rrebtë kundër mureve të qytetit të rrethuar. Silverin e kapën, e zhveshën nga rrobat e papnisë e e veshën si murg të thjeshtë.

Në vend të tij zgjodhën Vigjilin (537-555), ndërsa Silverin e internuan në Patara të Liçies. Ipeshkvi i vendit, i revoltuar për këtë ndërhyrje të turpshme të mbretërve në çështjet e fronit të Shën Pjetrit, shkoi në Kostantinopojë, ku protestoi pranë Perandorit Justinian, duke pohuar se në botë mbretër ka sa të duash, po papa është një i vetëm e mbretërit nuk kanë kurrfarë të drejte ta dëbojnë nga froni, besuar nga vetë Krishti Kryetarit të Apostujve e pasardhësve të tij.

Perandori, i trembur, e ktheu Silverin në Romë me qëllim që t’i njihej pafajsia, gjë që shkaktoi reagimin e papës Vigjili, i cili jo vetëm që nuk e shfajsoi Silverin por, më 11 nëntor të vitit 537, e detyroi të abdikonte dhe e internoi në ishullin Palmaria (Ponca e sotme), ku vdiq nga torturat e nga uria më 2 dhjetor 538.

Trupi i Silverit nuk u mbart në Romë, siç ngjiste zakonisht me reliket e papëve të vdekur në internim, por mbeti në ishull, ku varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimesh e mrekullish, që nisen të dokumentohen duke nisur nga shekulli XI. Të dy papët e shenjtë, Ormisda e Silveri, atë e bir në jetë, janë pajtorë qiellor të vendlindjes së tyre, Frozinones.

20 qershor 2018, 11:45