Kërko

 Takimi i Singaporit: shtrëngim duarsh Trump- Kim Jong-un Takimi i Singaporit: shtrëngim duarsh Trump- Kim Jong-un 

Imz. Xuereb: Samiti i Singaporit, ngjarje historike për paqen

Nunci në Kore, imzot Alfred Xuereb, komenton, në Vatican News, takimin historik të presidentit të SHBA-ve, Trump, me atë verikorean, Kim Jong-un, në Singapor.

R. SH. - Vatikan

Ngjarje historike, e papërfytyrueshme pak muaj më pare. Takim paqeje, për të cilin Kisha koreane u lut pa reshtur. Samiti i Singaporit ndërmjet presidentit të SHBA-ve, Trump e atij verikorean, Kim Jong-un në Singapor, u prit me kënaqësi të veçantë nga nunci apostolik në Seul, kryeipeshkvi Alfred Xuereb, që e komenton, në Vatican News, këtë ngjarje historike.

Imzot Xuereb, mbarë bota i ka sytë tek kjo ngjarje e madhe, që pak më parë dukej vërtet e papërfytyrueshme. Cili është komenti juaj, emocioni juaj, për këtë ngjarje kaq të rëndësishme për  mbarë Korenë?

Mund ta përfytyroni emocionin, me të cilin po i jeton Kisha, këtu, në Kore, këto çaste vërtet historike. Sot u shkrua një faqe shumë e rëndësishme, që shënon fillimin e një udhe ende të gjatë e të rrëpirtë, por plot me shpresë, sepse fillimi është shumë pozitiv. Kaluam nga fjalët e forta, të bubulluara,  “për shkatërrim të plotë” nga ana e Koresë së Veriut, në fjalë paqeje, marrëdhëniesh të bazuara mbi harmoninë, prej këndej, jemi plot shpresë e besim. Kisha po jeton një fe të madhe, në këto çaste. Po jeton në lutje falënderimi. E edhe unë  marr pjesë, së bashku me besimtarët. Kemi besim të plotë se Nëna Qiellore, së cilës i kushtohet katedralja, nuk mund të mos e dëgjojë lutjen e zjarrtë të këtij populli! Më prekën posaçërisht dy lutje: një për politikanët e jugut e të veriut të Koresë, e tjetra, për ungjillëzimin e Veriut!

Pra, krijohet edhe një hapësirë e re ungjillëzimi, përveç paqes, fryt tjetër i këtyre ditëve…

Natyrisht procesi, siç e kujtuam pak më parë, është akoma në fillim, por ne shpresojmë se do t’i krijojë popullit të Koresë veriore jo vetëm kushte prosperiteti, zhvillimi ekonomik, por, në mënyrë të veçantë, edhe kushte për jetë shpirtërore, jetë feje, e cila i jep tonalitet ngarjeve, që do të jetohen në vijim. “Qoftë vijim me paqe e harmoni!”.

 

12 qershor 2018, 13:29