Kërko

Stërvitje në fushat e Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi Stërvitje në fushat e Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi 

Botërori i Futbollit dhe ndalimi i shprehjes së ndjenjave fetare

Teologu austriak, Leopold Neuhold dhe kampioni i njohur i futbollit austriak, Herbet Prohaska, komentojnë vendimin e Fifa-s, e cila u ka ndaluar lojtarëve të shprehin ndjenjat e tyre fetare në fushë.

R.SH. - Vatikan

Kampionati Botëror i Futbollit sapo ka filluar në Rusi e Federata Botërore e kësaj loje (Fifa) u ka ndaluar lojtarëve të shprehin ndjenjat e tyre fetare në fushë. Natyrisht, ky vendim i Fifa-s ka shkaktuar polemika.

Qëndrimi i teologut austriak Leopold Neuhold

         Teologu etiko-shoqëror austriak, Leopold Neuhold, tregohet skeptik për këtë vendim, pasi, sipas tij, shprehja e fesë nga lojtarët nuk është aspak problematike. E rëndësishme është që lojtari të mos e përdorë fenë në funksion të futbollit, pasi kjo lojë nuk ka të bëjë aspak me fenë, përveçse për faktin se si futbolli, ashtu edhe feja, kanë një lloj ritualizmi, i cili gjithsesi nuk është i ngjashëm me atë të tjetrit. Problemi kryesor, denoncon Neuhold në gazetat kishtare austriake, është se “duan të eliminojnë çdo lloj Zoti, në emër të Hyjnisë Top i Futbollit”. E kjo shihet më së miri në afarizmin, që ka përfshirë botën e sportit, e cila nuk mungon të krijojë shkandulle, edhe të rënda, që e cënojnë bukurinë dhe gëzimin e futbollit, përfundon teologu austriak.

Futbollisti Prohaska: feja, në ditë të vështira

         Edhe kampioni i njohur i futbollit austriak, Herbet Prohaska, që ka luajtur edhe me skuadrat italiane të Interit e të Romës, pohon për gazetën e kryedioqezës vjeneze “Der Sonntag” se “futbolli është shkollë jete”. Pikërisht për këtë, feja ndihmon në kapërcimin e çasteve të vështira, siç i ka ndodhur edhe atij vetë, kur si trajner i skuadrës kombëtare iu desh të pësonte humbjen 9-0 me Spanjën. Ishte figura e Jezu Krishtit, lënë vetëm e braktisur nga të gjithë, ajo që i vinte ndërmend, ndërsa kuptonte se loja e futbollit nuk është bërë vetëm për të fituar, por edhe për të humbur, sepse nga humbja mëson më shumë, mëson si të punosh më mirë, merr një leksion të mirë për jetën.

17 qershor 2018, 09:00