Cristo risorto mosaico Cristo risorto mosaico 

Atë Locatelli është eprori ri i përgjithshëm i rregulltarëve Murialdinë

Kapitulli i përgjithshëm i XXIII i Kongregatës së rregulltarëve të Shën Jozefit - Giuseppinëve të Murialdo-s, mbledhur në Quito (Ekuador), zgjodhi Eprorin e ri të Përgjithshëm të kësaj kongregate në personin e Atë Tullio Locatelli.

R. SH. - Vatikan 

Kapitulli i përgjithshëm i XXIII i Kongregatës së rregulltarëve të Shën Jozefit - Giuseppinëve të Murialdo-s, mbledhur në Quito (Ekuador), zgjodhi Eprorin e ri të Përgjithshëm të kësaj kongregate në personin e Atë Tullio Locatelli. I lindur në Terno d'Isola (Bergamo) më 6 prill 1951, atë Locatelli bëri kushtet e para të jetës rregulltare në këtë kongregatë më 29 shtator 1968 dhe u shugurua meshtar në Viterbo më 17 mars 1979.

Pas viteve të para të shërbimin në seminarin e vogël të Valbrembo-s, si dhe mësimdhënies në seminarin e Bergamo-s, Fra Locatelli qe edhe zëvendës-drejtor e rektor i Institutit Teologjik Filozofik të "Shën Pjetrit" e më pas u zgjodh vikar i përgjithshëm i Kongregatës (1994-2006), pastaj eprori i Provincës italiane (2006-2012) dhe këshilltar e sekretar i përgjithshëm (2012-2018).

Atë Locatelli u bë kështu pasardhësi i 11-të i Shën Leonardit Murialdo dhe Epror i ri i Përgjithshëm i rregulltarëve Giuseppinë (Jozefinëve), kongregatë që lindi në Torino në 1873 për t'u shërbyer të varfërve të rinj dhe botës së punës, e kujtojmë se sot kjo Kongregatë rregulltarësh ka mbi 500 sivëllezër rregulltarë të shpërndarë në afër 105 shtëpi, janë të pranishëm në 16 vende të botës.si dhe në Shqipëri.  Eprori i ri i përgjithshëm i porsazgjedhur zëvendëson atë Mario Aldegani-n, i cili ka qenë përgjegjës si epror i përgjithshëm për dy gjashtë vjeçarë.

Bërthama e përshpirtërisë së Shën Leonardit Murialdo është besimi i patundur në dashurinë përdëllyese të Zotit: një Atë gjithnjë i mirë, i durueshëm e bujar, që e dëfton madhështinë dhe pafundësinë e mëshirës së tij me faljen.  Leonardi qe gjithnjë njeri e meshtar plot mirënjohje ndaj Zotit, siç e tregojnë disa rreshta, që i shkroi një ditë kur “ndodhej në fundin e greminës e Hyji shkoi ta kërkonte”. Pikërisht atë ditë, ai e dëgjoi qartë zërin e Zotit. Prandaj jetoi me vetëdijen e kufizimeve të veta, duke e shoqëruar me një impenjim të vazhdueshëm e bujar pendese e kthimi në rrugën e Hyjit, pa harruar kurrë misionin e jetës së tij: meshtarinë! Ai ishte meshtar e detyra e tij kryesore - të shpëtonte shpirtrat. Shën Leonardi i kujtonte gjithnjë vetvetes dhe sivëllezërve se duhet të jetonin në përkim të plotë me sakramentin, që kishin marrë. Dashuria e Zotit e dashuria për Zotin: kjo ishte forca e tij, forca e udhës së tij drejt shenjtërisë, ligji i meshtarisë së tij, kuptimi më i thellë i apostullimit të tij ndërmjet të rinjve të varfër dhe burimi i lutjes së tij.

Shën Leonardi e lëshoi veten, me besim të plotë, në dorë të Provanisë Hyjnore – mbi vullnetin e së cilës hodhi bazat e Kongregatës së Shën Jozefit, themeluar në vitin 1873 e kushtuar ndihmës së fëmijëve të braktisur,  themeluar prej tij,  të hapur për të gjithë njerëzit, që kishin nevoja shoqërore e shpirtërore. Qe gjithnjë gati ta ndiqte Provaninë Hyjnore e t’i shërbente, pa bërë kurrë pyetje. Thoshte: “Unë nuk jam i zoti për asgjë, madje s’e kuptoj as atë që bëj. Por jam i bindur se Provania Hyjnore e di mirë ç’ kërkon nga unë. Mua më takon vetëm ta ndjek. Përpara, në Zotin!". Kur ishte fjala për të varfrit, për nevojtarët e tij, e quante gjithnjë veten ‘punëtor krahu i Provanisë Hyjnore.

Shën Leonardi gjeti rrënjët e thella dhe burimin e pashtershëm për veprimtarinë e tij, në lidhjen e ngushtë me Zotin, në dashurinë e pamasë për Të, duke e ruajtur të pacenuar këtë bindje në zemrën e tij. Nuk mund të ushtrohet dashuria e krishterë, pa jetuar në Krishtin e në Kishë. Ndërmjetësimi i  tij e shembulli i tij vazhdoftë ta ndriçojë shërbimin e shumë meshtarëve e njerëzve vullnet mirë, që shkrijnë bujarisht gjithë jetën për Zotin e për njerëzit, që u janë besuar dhe i ndihmojnë të gjithë t’ia dhurojnë plot gëzim e bujari vetveten, Zotit e të afërmit. Këtë na kujton Shën Leonardi .

13 qershor 2018, 17:47