Mario Agnes Mario Agnes 

Vdiq Mario Agnes, ish-drejtor i L’ Osservatore Romano

Bota e gazetarisë italiane, por edhe ajo kishtare, humbi një nga penat e saj më të mprehta. Ndërroi jetë Mario Agnes, ish-drejtor i gazetës vatikanase "L’ Osservatore Romano".

Vdiq, në moshën 86 vjeçare, gazetari Mario Agnes. U shua pas një sëmundjeje të rëndë, në shtëpinë e tij, në Vatikan. Drejtoi gazetën vatikanase L’Osservatore Romano nga viti 1984, deri në vitin 2007, kur Benedikti XVI, me rastin e daljes në pension, e emëroi “drejtor nderi” të së përditshmes së Selisë së Shenjtë. Mik i Shën Gjon Palit II,  gazetari i mirënjohur lindi  në Serino, provincë e Avellino-s, më 6 dhjetor 1931: firmë e madhe e gazetarisë italiane, vëlla i Biagio-s, ish-drejtor i përgjithshëm i Rai-t, ishte pedagog i historisë së krishterimit pranë universitetit të Cassino-s e atij La Sapienza të Romës. Nga viti 1973, deri më 1980, ishte president  kombëtar i Veprimit Katolik. Në vitin 1976, i Lumi Pali VI e thirri të udhëhiqte Nei-n (Nuova Editoriale Italiana), shoqëri botuese e gazetës “Avvenire”.

Kur kujtojmë emrin e Mario Agnes, nuk duhet harruar edhe angazhimi i tij politik si këshilltar komunal i Romës, përfaqësues i pavarur i Demokracisë së krishterë. Kush e pati njohur, e kujton si njeri jashtëzakonisht të ndershëm, me seriozitet të thellë profesional. Nuk është, prandaj, e rastit që, më 2006, iu dorëzua titulli “Ambasador i Romës” në fushën e komunikimit.

09 maj 2018, 19:25