Kërko

ALBANIA-SOCIETY-RIGHTS-GENDER-DEMO ALBANIA-SOCIETY-RIGHTS-GENDER-DEMO 

Fjalimi i Mons. Zef Oroshit në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Në kuadër të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, po propozojmё fjalimin (homeline) mbajtur nё vitin 1968 nga meshtari shqiptar, Mons. Zef Oroshi, misionar e prijёs i dioaspores shqiptare nё Nju Jork tё SHBA-sё, botuar nё revistёn “Jeta Katholike” Vjeti III, Nr. 4 (12) Tetuter-Dhetuer -1968.

R. SH. - Vatikan

                      Fjalimi i Mons. Zef Oroshit në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

PER FE ATDHE E PERPARIM

LOG KUVENDIT

ME 17 KALLNDUER 1468: NJE POPULL VAJTON E BAN GJAME

NJE SHTET I KRIJUEM ME GJAKUN E KETIJ POPULLI KALON

 NDER TERRSINAT E SHEKUJVET

Në kuadër të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, po propozojmё fjalimin (homeline) mbajtur nё vitin 1968  nga meshtari shqiptar, Mons. Zef Oroshi, misionar e prijёs i dioaspores shqiptare nё Nju Jork tё SHBA-sё, botuar nё revistёn “Jeta Katholike” Vjeti III, Nr. 4 (12) Tetuter-Dhetuer -1968

(Fjalimi i Mons. Zef Oroshit në Meshën perkujtimore të 500 vjetorit të vdekjes së Skanderbegut) nga revista "Jeta Katholike Shqiptare" Vjeti III, Nr.4 (12) Tetuer-Dhetuer - 1968

 Përfaqsuesë të Komitetit “Shqipria e Lirë”, Udhëheqësa e përfaqsuesë të Partive Politike Nacjonaliste, Motra e Vllazën Shqiptarë!

Jemi mbledhë në këtë tempull shêjt kombtarisht per të perkujtue 500 Vjetorin e vdekjes së Heroit kombtar të Popullit Shqiptàr, Gjergj Kastriotit- Skanderbegut.

 Natyrisht nuk âsht koha, në pak minuta, as vendi dhe as nevoja të Ju përshkruej gjestet fenomen me të cilat strategu i madh bani me u hapitë botën e atëherëshme, e qi kaloi nder analet historike nderkombtare të botës ushtarake e të gjitha kohnavet.Këta gjeste gjinden të shkrueme e të stolisuna nder katerqind e sa vepra të ndryshme historike e artistike që ma teper bota e huej i kushtoi këtij nieriut të Madh, nder të cilat, si strateg e prijsë ushtrijet, u krahasue me nierzit mâ të naltit e karrjerës ushtarake, si me Hanibalin e Karthagjenës, Jul Cezarin e Romës e Napoleon Buonapartin, me këtë ndryshim se ata banë lufta shkeljesh e zaaptimesh, shum herë për lumní personale, kurse Gjergj Kastrioti per mbrojtjen e unjisimin e Atdheut.Këtë ai e bani me nji grusht Shqiptarësh pa kurrfarë proporcjonesh ushtarake me anmikun. E ajo që habiti botën mâ tepër âsht se ai jo vetem se u mat me perandorinë mâ të fuqishmen e kohës, me nji ushtrí aq të vogël, por nder njizetetrí lufta të përgjakëshme, duel triumfues, deri n’atë ditë fatzezë per Shqipní, kur vdekja e shtangoi, tue lanë nji Komb jetim e pashkresa.

Ajo që dishroj të theksoj në këta pak minuta, janë dy pika: a) Vuejtet trupore e morale të këtí nieriut të madh, dhe b) Mësimi që na duhet të nxierrim nga jeta e tí e karakteri i tí i palodhëshem.

 Shumë herë i paraqesim mendes sonë nji Skanderbeg që kalon nga lumnija në lumní, që shofim nder perftyrime, shpatën e tí tue pré krena, sikur qarku grinë duhanin. Nji njerí që kalon porsi rrufeja prej njij anet në tjetrën të Shqipnisë, tue prue e tue dhanë lirí krahinave të ndryshme të Kombit e Kombit krejt, tue shpartallue ushtritë shkelse të huejat, sikur këto vetina dhe suksese të i a ketë sjellë fati në dorë vetvetiut. Jo nuk âsht ashtu. Çdo fitore që ai korri i kushtoi mundë, djersë, e net  çuet. Shqiptari âsht mendesquet e trim, por shum i vështirë, e të shumten e herës i pamundun me qenë i disiplinuem, si per luftë si per punë tjera. Merita mâ e madhja e Skanderbegut  âsht se ai i a duel me i bashkue Shqiptarët e kohës së tí, sikur Venediku. Vështirsina me mbrujtë e me bashkue parí e vegjëli, gjâ mjerisht që ka dalë e vështirë edhe nder këto 25 vjetët e fundit. Fillë mbas fitorevet ose në fitore e siper, e pret ndonji trathtí nga bashkëpuntorët mâ të ngushtit, sikur ajo e Mojs Golemit, nder nipat e gjakut të tí, sikur ajo e Hamz Kastriotit dhe e Gjergj Strez-Balshës.

Venediku, i cili me ramjen e mbretnisë së madhe të Balshajvet të Shkodrës (nji mbretni pesë herë mâ e madhe se Shqipnija e soçëme), kishte shkelë shumicën e qytetevet bregdetare të Shqipnisë, me gjithse e perkrahi, nga nji herë i bani hile mbas shpinet, kurdo shifte se principata e Kastriotit po zmadhohej e bahej e rrezikshme per marrjen e këtyne qytetevet, gjâ  që sigurisht Skanderbegu me të gjith të drejtën do ta kishte bâ, mos të kishte pas në shpinë Perandorinë Osmane per të tanë jetën e tí. Osmanllít ishin bâ shumë ma të fortë qysh me ditën që i a kishin dalë me marrë Bizantin, ose Perandorinë Kristjane të Lidnjes. Kjo ngjante vjetin 1453. Kështu që sulmet e Osmanllijvet baheshin perherë e mâ të  rrebta. Po në këtë kohë gjithashtu miku i ngushtë i Skanderbegut, Gjon Hunjadi i Hungarisë vdes në vjetin 1456. Mbreti i Napullit, Alfonsi V, me gjithse gjithnji në luftë e kundershtime me Vendedikun, i dha ndihmë Skenderbegut gjithsa mujt, e mbas tij vejen Ferdinandi ma i ligështi, të cilin vetem Skanderbegu ia pështoi tronin me kalorinë e vet kundra baroneavet  italjan, dhe me këtë rasë, âsht i vetmi shqiptàr që mbahet në mend në historí të ketë fitue në shperblimin e ndihmës s’armëvet, nji principatë të vogël (Monte Galgano, në krahinën e Puglies).

 Për të mujtë me u dalë në skaj ngatrresavet të panderpreme ky njerí i madh shtini në punë gjithçka të madhe kishte krijue Zoti në tê, virtytet e fés Kristiane, tue mbajtë gjithmonë n’oborrin e tí Meshtarë e Ipeshkvij që per fé e Atdhé nuk u dhimbej jeta as flijimet. Dijti me qenë i durueshëm me parí  që ia merzitshin shpiritn tue kërkue të drejta e pameritueme. Skanderbegu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim per Shqipní. Me virtytet e burrnisë e të fés që shkelqejshin në fytyrë e ndêjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me parí si me vegjëli, setcilit tue i ndigjue hallet, e secilin tue ndeze n’atdhedashuni, setcilit tue i naltue flijimet e trimnín per Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari. Në këtë mënyrë ia duel me bashkeu e shkri në nji parí vegjëlinë e të gjitha krahinavet të Shqpinisë. Nëse marrim parasyshë se si ai dijti me i mobilizue forcat shqiptare, e jemi në perendimin e mesjetës kur fjala shtet e komb kishin pak e aspak veshtirm në kuptimin modern, e krejtë Shqipnija ishte e ndame në pricipata të mëdhaja e të vogla, nuk mund të spejegohet ndryshej, mbas mendimit të historjanëvet, vetem me dy kondita të volitshme per Skanderbegun. Së parit, si na thotë Fan Noli e historjanë të hershem, në krye të shekullit 15-të gjith princat shqiptarë në Jug e Verí , si në qendrë, me popullaten e tyne ishin Katholik.Unjisimi i besimit aso kohet ishte faktor kryesur per bashkimin ushtarak e kombtar.           

Kjo u vlejti dhe Sulltanavet në strategjinë e tyne. Së dyti, madhnija e karakterit e e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijs ushtarka, si diplomat i mabruem dhe si personalitet që pervetsonte filozofinë themelore të burrit Shqiptàr të Malevet, mbështetun në trimní të papërkulëshme, besë të pathyeshme deri në vdekje, fisnikí e zemrëgjansí të pa kufî per Popullin që udhëhiqte. Të gjitha këta ndiesina Skanderbegu i pat thellësisht  të gërshetueme me nji besim të palëkundëshëm n’Universalitetin e Kishës Katholike, gjâ kjo që i meritoi alenacën dhe admirimin e pesë Papëvet, të cilët e përkrahen pa hile e i dhanë aq levdata, si na thotë Pali i VI në fjalimin që mbajti per tê mbas pesë shekujsh, sa nuk i kanë dhanë kurr ndonji princit tjetër Katholik të kohës. Nen binomin fé e Atdhé, Skanderbegu brumosi Popullin Shqiptarë per të perballue ata lufta aq të tmerëshme e aq të gjata e renimçare. Ishte  koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanat, jo vetem që luftuen per fé, në mos tjeter ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fén e tyne.

 Asgjamangut Skanderbegu fés i dha vendin e vet, e Atdheut e interesavet të tij vendin e vet. Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skanderbegu të ketë flijue interesat e Atdheut per interesat e fés; përkundrazi ai e perdori fén per t’i sherbye Atdheut gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katholik dhe gjymsë aleatit e shumherë aleat, kur zaptoi Danjen (Dêjen e sotshme), Skanderbegu i dermoi venedikasit tue vrà në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe tue xanë rob 1000 të tjerë, dhe do ta kishte shlirue Shkodren nga pushtimi Venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshtje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Macedonisë, kështu që Skanderbegu nuk mujti me e shfrytzue fitoren ashtu si dishronte pse qe kapë në mes dy zjarmevet.

Nji mësim tjeter me randësi, të vlefshme per né Shqiptarët edhe sot në shekullin e njizetët, na e la Skanderbegu. Kur erdhi në Krue e çliroi Pricipatene  e t’et nga zgjedha Osmane, nuk u kënaq me kaq, sikur do të kishte bâ nji princ tjeter. Ai ka plotësisht idén e njij Kombi, dhe me nji herë mbledhë princat në Lesh per besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të kombit. Po ta kishin pasë Udhëhjeksat Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idés Skanderbegut, që zbatoi pesë shekutj mâ para, ndryshej do t’ishin zhvillue ngarjet e tridhetë e ndanëse, ndryshej, ata të vjeshtës së katerdhetë e treshit e ndryshej ata të ndanorit të 1944, e sidomos ata të katerdhetë katershit të cilat vetem i krijoi injoranca mbi komunizmin ndermombetar, perçamja e korrupcjoni, apatija mâ e shemtue mjerisht të gjith dhe barim në korrizë konseguencat tash nji të katert të shekullit. Shummë udhë prandej e thonte Ciceroni, oratori i permendun i Romës klasike, se historia âsht mësuesja e jetës. Kjo vlen per të gjith popujt, kjo duhet të vleje dhe per né Shqiptarët.

Barleci në historinë e vet na e pershkruen Skanderbegun, burrë me nji trup të shëndoshtë, të naltë, të lidhun, e të pashem, shtat përhjedhët, me nji fuqí fyzike që vetem nga pamja e tí dridheshin anmiqët, i zhdervjellët në perdorimin e çdo arme të kohës, vetí këto që e bajshin gjithmonë me fitue nder dyluftime me gjenerala të zgjedhun që komanda Turke i qitte per ball. Me gjithse Kapidana udhëheqësa shqiptarë dridheshin kur shifshin Skanderbegun në mjedis tufnit ma të fortit të luftës, Skanderbegu vetë kurr nuk e kursei as ruejti vehten. Zoti i kishte dhanë nji zhdervjelltësí aq të madhe, sa dinte me u mprojtë dhe me luftue si luan i terbuem. Nieri zemrëgjanë, i pahile e i drejtë, fali Mojs Golemin per trathtinë që i kishte  bâ , dhe e kthei në kamben princore që kishte pasë mâ para. Në kohë luftet Skanderbegu lypte  disiplinë e përpikëmení, si gjeneral i mbaruem, pose në kohë pagjet ishte i kënaqun ta mbante vehten si nji nder ushtarët e fjeshtë.

Mjerisht kah vjetët e fundit Skanderbegut i u banë ma anmiq se anmiku vetë renegatët e trathtarët shqiptarë që luftuen kundra vendit të vet nen flamurin e Sulltanavet, nder të cilët katër herë me radhë Ballaban Pash Badra, dy herë me nga 18.000 ushtarë, njiherë me 20.000 e nji tjeter me 24.000 e Jakup Arnauti, me 16.000. Që të dy u dermuen nga  Skanderbegu me Kapidanat e vlefshem shqiptarë, porse humbjet e shkaktueme nder nierz nga këta trathtarë që në të mdhaja e të paxevendsueshme. Nji nder këso humbjesh qe zanja rob e të kapidanavet mâ të vlefshmit të Skenderbegut, nga ana e Ballabanit, e dergimi i tyne në Stamollë, ku qenë mbytë nder tutura mâ shjerzore nga Sulltan Mehmedi II.

Kjo ngjarje dhe tjera si kjo, na siellë nder mend nji tjeter konsideratë historike: Na mburremi, e ndoshta me vend,që shum Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botnore nder oborre mbretnore të huejat, sikur afer nizet e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, nder të cilët Dioklecjani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vizira, Ministra të mbrendshem e të Jashtem, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, per mos të permendë  Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani. Por kurr njenit nder këta nierz të mdhaj nuk i rà ndermend me e prishë poziten që kishte e me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as mâ vonë me krijue nji Shqipnì të lirë e të madhe, tue ia dedikue jeten e tyne krejtë çashtjes së popullit që i lindi, ashtu sikruse bâni Gjergj Kastrioti Skanderbegu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbei tragjikisht nga zemra e Popullit të vet.

Zoja e Zotni të ndershëm! Pa asnji dyshim ajo âsht arsyeja per të cilën Gjergj Kastrioti u bâ simbulli i lumnís dhe i bashkimit të Kombit pesë shekuj mâ parë. Po ajo arsye âsht edhe sot që e bâni nieriun universal në historí, dhe në të njajten kohë fuqí morale  qentripetike t’ideologjivet të përçàme të Kombit Shiptàr, mbrenda e jashte Shqipnijet. Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tí, âsht endé simbulli i gjallë në mes nesh i atí bashkimimit, pa të cilin s’ka gjallnim Kombi Shqiptàr.

 

 

14 maj 2018, 16:23