E ardhmja e Shqipërisë E ardhmja e Shqipërisë 

Diaspora, për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë

Platforma “ConnectAlbania”, transferimi i njohurive, aftësive dhe kompetencave të emigrantëve, përpilimi i një harte të diasporës shqiptare në Itali: këto disa nga objektivat e konferencës “Të përfshihet diaspora shqiptare në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë”, më 17 maj, në Romë.

R.SH. - Vatikan

“Të përfshihet diaspora shqiptare në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë”: ky është synimi dhe tema e konferencës, që do të mbahet më 17 maj, në Qendrën e Hartave Gjeografike në Romë (via Napoli 36), nga ora 10 deri në orën 17.30.

         Konferenca organizohet nga Fondacioni Migra Onlus, në kuadrin e projektit me të njëjtin titull, financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillimin dhe zbatuar nga Organizata Botërore për Emigracionin. Interesante, tematikat, që do të trajtohen në konferencë, të gjitha pjesë e projektit në fjalë.

         Platforma “ConnectAlbania” për shembull, që ka si objektiv mbështetjen e anëtarëve të diasporës shqiptare për t’u bërë agjentë zhvillimi, duke nxitur investimet dhe krijimin e vendeve të punës në bashkësitë lokale në Shqipëri. Emigrantët shqiptarë, sidomos brezi i dytë, mund të hapin ndërmarrje të reja, por edhe të ndihmojnë atdheun përmes transferimit të njohurive, aftësive dhe kompetencave të tyre. Natyrisht, për t’i përfshirë në çfarëdo lloj plani, është e nevojshme të dihen ku janë e çfarë bëjnë emigrantët, që jetojnë në Itali. Për këtë, projekti parashikon edhe përpilimin e një harte të diasporës, së paku në 5 rajone italiane.

            Në konferencën e së enjtes, 17 maj, parashikohen takime institucionale me shoqatat e rajonit të Lacios, me studentët e profesionistët emigrantë shqiptarë, por edhe me afaristët, tashmë të integruar mirë në indin e shoqërisë italiane, për të kuptuar në ç’mënyrë mund të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

14 maj 2018, 17:28