Kërko

Mesha për 50-vjetorin e At Carlos Mugica Mesha për 50-vjetorin e At Carlos Mugica

Françesku: Át Mugica na sfidon të luftojmë kundër çdo padrejtësie

Ati i Shenjtë i dërgoi një letër kryedioqezës së Buenos Airesit, me rastin e 50-vjetorit të vrasjes së Át Carlos Mugica, më 11 maj 1974. Ajo u lexua në meshën, që mbylli "Javën Mugica", gjatë së cilës u zhvilluan veprimtari të shumta për të nderuar trashëgiminë e këtij meshtari

R.SH. – Vatikan

 Në 50-vjetorin e vdekjes së Át Carlos Mugica, vrarë më 11 maj 1974, Papa Françesku përshëndeti me anë të një letre të gjithë njerëzit, që u mblodhën për të kujtuar këtë përvjetor. Teksti u lexua gjatë Meshës, që mbylli të ashtuquajturën "Java Mugjike", të dielën, në Luna Parkun e Buenos Ajresit.

"Si në çdo kremtim të Kishës - që është shumë më tepër se një përkujtim historik – na jepet mundësia për të rinovuar praninë vëllazërore dhe për t’iu kushtuar atyre, që mbajnë kryqe të rënda", shkruan Papa, i cili i inkurajon të gjithë "të vazhdojnë të rrinë me zemër e trup pranë atyre, që vuajnë të gjitha llojet e varfërisë”.

Françesku thekson se Át Carlos “edhe sot inkurajon forcimin e një bashkësie, që organizohet për të shoqëruar jetën e njerëzve dhe na sfidon të luftojmë kundër çdo lloj padrejtësie, të kemi dialog inteligjent me shtetin dhe me shoqërinë".

Ipeshkvi i Romës nënvizon se dëshmia e meshtarit "na mëson të mos biem në duart e kolonizimit ideologjik e as në ato të kulturës së indiferencës". "Le t'i kërkojmë Zotit që parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës të japin fryte në bashkësitë tona dhe, përmes tyre, në gjithë jetën shoqërore", shton Papa.

Ati i Shenjtë i fton të gjithë të mos i skartojnë të tjerët e të kërkojnë integrimin, duke bërë thirrje "të marrë fund përçarja, jo me heshtje e bashkëfajësi, por duke e parë njëri-tjetrin në sy, duke i pranuar gabimet dhe duke çrrënjosur përjashtimin” e të tjerëve nga shoqëria.

Kush ishte Át Carlos Múgica

Át Carlos Múgica ka qenë një meshtar argjentinas (lindur në Buenos Aires më 7 tetor 1930, vdekur më 11 maj 1974), që i përkiste klerit të Buenos Ajresit. Nga një familje e nivelit të lartë, fillimisht, u regjistrua në fakultetin e drejtësisë. Ndjeu thirrjen për meshtari pasi vizitoi Romën, në Jubileun e vitit 1950, pas të cilit hyri në seminar. U shugurua meshtar në vitin 1959. Ditët e tij të para të shërbimit kaluan mes familjeve të lagjeve të punëtorëve, më pak të zhvilluara. Pedagog universitar, ai u bë i famshëm për predikimet e tij javore të transmetuara në radiostacionin komunal. Themeloi lëvizjen e priftërinjve të botës së tretë dhe lëvizjen "Cura Villeros". Qëndrimet e tij tërhoqën kritikat e gazetave më konservatore argjentinase e, madje, edhe të disa klerikëve. Në atmosferën konfliktuale të kohës, iu bënë edhe disa kërcënime.

Të shtunën, më 11 maj 1974, Át Carlos sapo kishte kremtuar meshën kur Rodolfo Almirón, një agjent i Aleancës Antikomuniste Argjentinase (AAA), qëlloi pesë plumba në drejtim të tij. U dërgua me urgjencë në një spital aty pranë, ku ndërroi jetë pak kohë më pas, për shkak të plagëve. Që nga viti 1999, eshtrat e tij prehen në famullinë e Cristo Obrero. Papa Françesku ka thënë për të: "Ishte meshtar i madh, që luftoi për drejtësi".

13 maj 2024, 13:30