Kërko

Vizita e Patriarkut Minassian a Zahle në Napoli Vizita e Patriarkut Minassian a Zahle në Napoli 

Raphael Bedros XXI Minassian: "Mos harroni armenët e Nagorno Karabakut"

Thirrje e Patriarkut të Kishës Katolike Armene për të përhapur “mesazhin e vëllazërisë, për të cilin bota mbarë ka aq shumë nevojë”, me rastin e kremtimit, sot në Napoli, të pesëdhjetëvjetorit të shugurimit të tij meshtarak. Kërkesë e fuqishme për të mbështetur të krishterët e Libanit dhe të gjithë Lindjes së Mesme "prej nga nisi të përhapej mesazhi ungjillor".

R. SH. - Vatikan

Shtatëdhjetë e pesë vjet jetë, nga e cila 50 kushtuar meshtarisë: për patriarkun e Kilikisë së armenëve katolikë, Raphael Bedros XXI Minassian, kremtimi i përvjetorit të shugurimit të tij, sot, më 24 qershor, në kishën e Shën Gregorit Armen, në Napoli, ishte një çast i ngarkuar me emocion të madh e, njëkohësisht, edhe me reflektimin e rëndësishëm për fatin e armenëve dhe për nevojën e përhapjes së mesazhit të vëllazërisë, që i duhet aq shumë botës. Një datë, kjo e sotmja, që merr edhe më shumë rëndësi pasi shtatë vjet më parë, në të njëjtën ditë, Papa Françesku shtegtonte në tokën e Hajkut, në Armeni, "vendi i parë i krishterë", në shpatet e malit Ararat, ku pati zbarkuar arka e Noes dhe ku jeta rifilloi rrjedhën e saj, pas përmbytjes universale.

Shumë luftëra të harruara

Duke u nisur nga kisha e famshme e qytetit napolitan, e cila strehon reliket e Shën Gregorit – për të vijuar me zanafillën e kthimit në krishterim të popullit armen, populli i parë që e shpalli fenë e krishterë fe shtetërore - Patriarku ripërshkoi fazat e thirrjen e tij, të nisur prej 33 vitesh “të jetuar në luftë”, siç kujton ai vetë, që e kaloi fillimisht si prift, më pas si ipeshkëv i Armenisë dhe Evropës Lindore dhe tani si Patriark. “Këtu në Evropë - kujtoi - sytë e të gjithëve janë ngulur mbi luftën në Ukrainë. E me të drejtë. Por ka edhe shumë luftëra e mjerime të tjera, për të cilat nuk po flasim”.

Duke kujtuar të krishterët e Lindjes së Mesme

Minassian më pas vuri në dukje vështirësitë që jeton ende sot Libani, ku ndodhet selia e Patriarkanës Katolike Armene, një vend i tronditur fillimisht nga lufta civile, që zgjati me dekada, ndërsa tani nga një krizë ekonomike dhe politike, me pasojë, popullsinë e uriur. “Tashmë në Liban mungon gjithçka. Guxoj të them se mungon edhe shpresa” - pohoi Patriarku, duke i ftuar të pranishmit në festë që të mos i harrojnë vëllezërit e tyre në Krishtin, jo vetëm në Liban, por “në të gjithë Lindjen e Mesme, prej nga u përhap mesazhi ungjillor”.

Të drejtat e shkelura të armenëve të Nagorno Karabakut

Raphael Bedros XXI më pas u përqendrua tek çështja që e ka gjithnjë për zemër, fati i armenëve të Nagorno Karabakh, "ai rrip toke që ka qenë gjithmonë i banuar nga armenë dhe është i rrethuar nga territori azer". Minassian më pas kujtoi se “120 mijë qenie njerëzore janë izoluar nga bota për më shumë se 190 ditë, pasi autoritetet e Azerbajxhanit vendosën të bllokojnë të vetmen rrugë që lidh rajonin me Armeninë e me pjesën tjetër të botës. 120 mijë njerëz, përfshirë të moshuar, gra dhe fëmijë, të cilëve u mohohet dinjiteti i jetesës”. Shkelje dramatike, që ndiqet nga “heshtja e plotë” e mediave, autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre që sot “duan të mbizotërojnë konfliktet mbi vlerat”, po ato vlera për të cilat flitet aq shumë sot, por që vështirë se vihen në jetë, si "respekti, liria, dinjiteti, barazia, vëllazëria". Në emër të këtyre vlerave - përfundoi patriarku i armenëve katolikë të Kilikisë - “Erdha këtu si shtegtar, në këtë vend të shenjtë, për të kërkuar me ju ndërmjetësimin e Shën Gregorit dhe shenjtorëve pajtorë të këtij qyteti të madh e të bukur, që të na ndihmojë të gjithë së bashku të përhapim mesazhin e vëllazërisë, për të cilin ka aq shumë nevojë bota jonë”.

24 qershor 2023, 18:00