Kërko

Imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit Imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit 

Kisha Katolike në Bruksel për të nxitur integrimin evropian të Shqipërisë

Një delegacion i Kishës Katolike, i përbërë nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo (kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit) dhe nga Sekretari i përgjithshëm, imzot Gjergj Meta (ipeshkëv i Rrëshenit), ndodhet në Bruksel për një sërë takimesh me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

R.SH. - Vatikan

Në kuadrin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, pas mohimit të kandidaturës së Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Kisha Katolike shqiptare impenjohet për të dhënë kontributin e saj në kapërcimin e vetos kundër integrimit të Tiranës, që e la atë jashtë negociatave në tetor të vitit të kaluar. Një delegacion i Kishës Katolike, i përbërë nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo (kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit) dhe nga Sekretari i përgjithshëm, imzot Gjergj Meta (ipeshkëv i Rrëshenit), ndodhet në Bruksel për një sërë takimesh me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Kisha Katolike është në favor të integrimit evropian të Shqipërisë

Të ftuar nga COMECE (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), dje e sot, ata u pritën nga Komisari për Zgjerimin, Olivér Vàrhelyi, nga anëtarë të parlamentit evropian, nga zyrtarë të tjerë, përfaqësues të presidencës kroate të Bashkimit Evropian, si edhe nga përfaqësues të vetë Kishës. Nënvizuan se “zgjerimi i BE-së nuk është vetëm nevojë, por edhe mundësi unike historike, në interesin e përbashkët politik dhe ekonomik”. “Hapja e bisedimeve për integrimin evropian – u theksua shpesh nga anëtarët e delegacionit kishtar shqiptar – do të thotë edhe kontroll për reformat, që nevojiten për ruajtjen e shtetit të së drejtës… dhe për favorizimin e besimit ndër qytetarët”.

Impenjimi i Kishës Katolike për integrimin në BE

Kujtojmë se më 20 janar të këtij viti, një delegacion ekumenik i COMECE-s dhe i KEK (Konferenca e Kishave Evropiane, ku bëjnë pjesë protestantët, ortodoksët, anglikanët dhe vetero-katolikët) u takua me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, të cilit i shprehën mbështetjen për të gjitha përpjekjet kroate drejt integrimit të vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, vizita e delegacionit kishtar shqiptar në Bruksel bëhet në një kohë kur Bashkimi Evropian po i rishikon politikat e zgjerimit dhe po përgatitet për Samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb, më 7 maj 2020.

Imzot George Frendo: nga Evropa do të marrim, por edhe do të japim vlera

Mbi takimet e këtyre ditëve dhe mbi kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri për integrimin evropian të vendit, të dëgjojmë, në lidhje nga Brukseli, kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo…

Dëgjo intervistën e Klaudia Bumçit me imzot George Frendon...

 

04 shkurt 2020, 14:15